Liqeni i Ohrit, në rrezik nga ndotja – UNESCO kërkon masa urgjente për të mbrojtur biodiversitetin
Kristi Ceta/SCAN
Liqeni i Ohrit, një vend i Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s që shtrihet në Maqedoninë e Veriut dhe në Shqipëri, është në rrezik nga ndotja, mbipeshkimi dhe zhvillimi urban, sipas organit të Kombeve të Bashkuara dhe ekspertëve.
Liqeni, një nga më të vjetrit në Evropë që daton 3.5 milionë vjet më parë, është shtëpia e rreth 200 specieve unike, duke përfshirë varietete të rralla të troftës. Ai shërben si një atraksion i rëndësishëm turistik dhe burim të ardhurash për Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë.
Ana e Maqedonisë së Veriut e Liqenit të Ohrit u shpall një sit i Trashëgimisë Botërore në vitin 1979, ndërsa UNESCO e zgjeroi përcaktimin dhe në anën shqiptare të liqenit në maj 2019.
Në raportin e vitit 2024, agjencia paralajmëroi për cilësinë e dobët të zhvillimit të pasurive të paluajtshme rreth liqenit dhe për turizmin përreth bregut të liqenit. Ai gjithashtu paralajmëroi Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë se masat për të adresuar kërcënimet ekzistuese dhe për të parandaluar kërcënimet e reja, nuk janë vendosur.
Biologu Zlatko Lefkov tha se situata po “përkeqësohej në mënyrë të pakthyeshme”, duke dëmtuar speciet vendase dhe biodiversitetin e liqenit.
Autoritetet lokale thonë se investimet në sistemin e ujërave të zeza, të ndërtuara në vitet 1980, janë të nevojshme, pasi struktura nuk mund të përballojë fluksin e turistëve. Shumë vizitorë dynden drejt liqenit si një alternativë më e lirë krahasuar me detin, u shpreh Orhidea Tasevska, menaxhere në institutin hidrobiologjik në Ohër.
Ambientalistët paralajmërojnë gjithashtu se lumenjtë që derdhen në Liqenin e Ohrit dhe vendbanimet më të vogla përreth janë burime të vazhdueshme ndotjeje.
Material i përgatitur nga portali SCAN TV.
Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.