Liz Truss kërkon ndjesë për gabimet! – “Tashmë kemi rivendosur stabilitetin ekonomik dhe disiplinën fiskale”
Kryeministrja e Britanisë Liz Truss kërkoi falje për gabimet në programin e saj që shkaktuan tkurrjen e besimit të investitorëve dhe rënien e vlerësimeve të sondazheve, por tha se ajo nuk do të tërhiqej. “E pranoj se kemi bërë gabime, më vjen keq, por tashmë i rregullova. Kam emëruar një ministër të ri Financash, kemi rivendosur stabilitetin ekonomik dhe disiplinën fiskale”, tha ajo gjatë një interviste për mediat britanike.
Ministri i Financave, Jeremy Hunt, i cili u emërua të premten pasi Truss shkarkoi aleatin e saj të ngushtë Kwasi Kwarteng, hoqi të hënën pjesët kryesore të agjendës së saj të uljes së taksave, duke përfshirë zvogëlimin e skemës së madhe të mbështetjes energjetike. Truss dhe Kwarteng u përpoqën të përmbysnin politikën fiskale britanike duke publikuar 45 miliardë paund ulje taksash të pafinancuara muajin e kaluar për të nxjerrë ekonominë nga stanjacioni. Por, përgjigja nga investitorët e obligacioneve ishte e ashpër dhe kostot e huamarrjes u rritën.
Truss, e cila u bë kryeministre më pak se gjashtë javë më parë, po përballet me një revoltë nga ligjvënësit e partisë së saj këtë javë. Por, ajo mbeti sfiduese, duke thënë se, tani është koha për t’u përqëndruar në realizimin e paketës së energjisë. Për këtë jam duke menduar si kryeministre.
Ndërkaq, ministri i ri i Financave, Jeremy Hunt, tha se po krijonte një Këshill Këshillimor Ekonomik për t’i ofruar atij “këshilla të pavarura ekspertësh”, ndërsa përpiqet të nxjerrë ekonominë nga një krizë besimi mes investitorëve.
Duke folur para ligjvënësve në Dhomën e Komunave për herë të parë në rolin e tij të ri, Hunt tha se nuk ishte kundër idesë së një takse të përkohshme nëse sektori i energjisë do të kishte bërë të ardhura të vërteta dhe jo një rritje ciklike të fitimeve.
Hunt gjithashtu mbrojti vendimin e tij për të mos qëndruar me politikën e heqjes së kufirit për bonuset e bankierëve të paraqitur nga paraardhësi i tij, Kwasi Kwarteng, duke argumentuar se qeveria do të marrë më shumë taksa nga bankierët e pasur.
Më parë, Hunt hoqi një pjesë të madhe të planit ekonomik të kryeministres Liz Truss dhe zvogëloi skemën e saj të madhe të mbështetjes energjetike, duke bërë një kthesë historike të politikës në përpjekje për të frenuar një humbje dramatike të besimit të investitorëve.
Zëdhënësi i Truss mohoi që Hunt po drejtonte vendin pasi strategjia e tij e re e çoi paundin në rritje dhe ndihmoi që çmimet e bonove të qeverisë të fillonin të rikuperoheshin nga trazirat që pasuan planin e qeverisë së saj të 23 shtatorit për shkurtimet e pafinancuara të taksave.
SCAN
Material i përgatitur nga portali SCAN TV.
Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.