Lufta në Ukrainë i kushton Gjermanisë 160 mld euro – Ekonomia humbet 4% të prodhimit të saj të brendshëm
Sipas kreut të dhomës gjermane të industrisë dhe tregtisë, lufta në Ukrainë do t’i kushtojë ekonomisë gjermane rreth 160 miliardë euro, ose rreth 4% të prodhimit të saj të brendshëm bruto, në krijimin e vlerës së humbur deri në fund të vitit.
Kjo do të thotë se PBB-ja për frymë në ekonominë më të madhe të Europës do të jetë 2 mijë euro më e ulët.
Industria përbën një pjesë më të madhe të ekonomisë në Gjermani sesa në shumë vende të tjera, dhe sektori konsumon shumë energji në pjesën më të madhe të tij, që do të thotë se kompanitë gjermane janë goditur veçanërisht rëndë nga rritja e çmimeve të energjisë, e cila vitin e kaluar arriti nivele rekord në Europë.
Industria gjermane do të paguajë rreth 40% më shumë për energjinë në vitin 2023 sesa në 2021, përpara krizës së shkaktuar nga pushtimi rus i Ukrainës më 24 shkurt të vitit të kaluar, sipas një studimi të ‘Allianz Trade’. Perspektiva e rritjes për 2023 dhe 2024 është gjithashtu më e ulët se në shumë vende të tjera.
Gjermania, e cila për dekada mbështetej në gazin relativisht të lirë rus, tani ka çmime veçanërisht të larta të energjisë në krahasim me Shtetet e Bashkuara të Amerikës që kanë rezervat e veta të gazit natyror, ndërsa Franca ka energji të bollshme bërthamore. Çmimi i gazit është rreth tre deri në pesë herë më i lartë se në Shtetet e Bashkuara, ndërsa energjia elektrike është katër herë më e shtrenjtë se në Francë.
Dorina Kurtaj / SCAN
Material i përgatitur nga portali SCAN TV.
Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.