Mira Murati synon të krijojë startup të ri – Ish-kreu i teknologjisë në OpenAI po mbledh fonde për projektin
Kristi Ceta/SCAN
Mira Murati, ish-kreu i teknologjisë në OpenAI, po mbledh fonde nga sipërmarrës për startup-in e saj të ri të inteligjencës artificiale.
Kompania e re synon të ndërtojë produkte të teknologjisë së re bazuar në modele të vetëkrijuara, thonë burimet për reuters. Nuk është e qartë nëse Murati do të marrë rolin e CEO-s në sipërmarrjen e re.
Ndërsa bisedimet janë në fazat e hershme, sipërmarrja e re e Muratit mund të mbledhë mbi 100 milionë dollarë, duke pasur parasysh reputacionin e saj dhe kapitalin e nevojshëm për të trajnuar modele të reja.
Barret Zoph, një studiues i njohur në sektorin e teknologjisë që u largua nga OpenAI në të njëjtën ditë me Muratin në fund të shtatorit, gjithashtu mund të përfshihet në sipërmarrjen e re, shtuan burimet.
Sipas raportimeve, Zoph po planifikon një startup të ri dhe Murati ka rekrutuar punonjës të OpenAI për t’iu bashkuar sipërmarrjes së saj të re.
Murati kaloi mbi gjashtë vjet në OpenAI duke udhëhequr projekte transformuese si ChatGPT dhe DALL-E. Ajo ishte një figurë kyçe në partneritetin shumë miliardë dollarësh të OpenAI me Microsoft, mbështetësin më të madh financiar.
Murati iu bashkua OpenAI në qershor 2018 dhe u promovua në CTO (shefe e teknologjisë) në maj 2022, sipas profilit të saj në LinkedIn. Para OpenAI, ajo ka punuar në startup-in e realitetit të shtuar Leap Motion dhe Tesla.
Murati u shfaq shpesh së bashku me CEO të OpenAI, Sam Altman, si fytyra publike e krijuesit të ChatGPT. Kur OpenAI në maj lançoi modelin GPT-4o, i cili është në gjendje të krijojë biseda realiste me audio, ajo drejtoi prezantimin.
Ish-kreu i teknologjisë dha dorëheqjën në fund të shtatorit, duke shprehur dëshirën për të “eksploruar” projekte të reja.
Material i përgatitur nga portali SCAN TV.
Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.