Miratohet ligji për pagën minimale – Vendet anëtare të BE-së kanë 2 vjet kohë për ta aplikuar
Parlamenti europian miratoi në mënyrë përfundimtare ligjin e ri për pagën minimale me 505 vota pro, 92 kundër dhe 44 abstenime. Ligji i ri do të aplikohet për të gjithë të punësuarit në Bashkimin Europian të cilët kanë një kontratë pune. Vendet në të cilat paga minimale është aktualisht e mbrojtur nga kontratat kolektive, si në rastin e Italisë, nuk janë të detyruara të aplikojnë normat e reja.
Këshilli europian duhet të miratojë formalisht marrëveshjen brenda muajit shtator, dhe më pas teksi do të jetë një ligj. Në këtë pikë vendet anëtare të Bashkimit Europian do të kenë dy vjet kohë për ta zbatuar atë. Aktualisht, sipas të dhënave europiane, pagat minimale më të larta janë në Luksemburg, Irlandë dhe Gjermani. Ato më të ulëta janë në Bullgari, Letoni dhe Estoni. Janë 21 nga 27 vendet anëtare që garantojnë një pagë minimale, ndërsa gjashtë të tjerat – Austria, Qipro, Danimarka, Finlanda, Italia dhe Suedia, i përcaktojnë nivelet e pagave në bazë të marrëveshjeve kolektive të pagave.
Sipas të dhënave të Organizatës ndërkombëtare të punës, në bashkimin europian 15% e të punësuarve – 26.5 milion persona, më shumë se gjysma janë femra – marrin një pagë më të ulët se paga minimale. Vendosja e pagës minimale do të jetë në dorë të vendeve anëtare, të cilat duhet të garantojnë se pagat e tyre minimale i lejojnë të punësuarve një jetë dinjitoze, duke marrë parasysh koston e jetesës.
Për sa i përket vlerësimit të përshtatshmërisë së pagave minimale të garantuara ekzistuese, vendet e Bashkimit Europian do të jenë në gjendje të përcaktojnë një shportë mallrash dhe shërbimesh me çmime reale, ose ta vendosin atë në 60% të pagës bruto mesatare dhe 50% të pagës mesatare bruto.
SCAN
Material i përgatitur nga portali SCAN TV.
Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.