Nafta zgjeron fitimet – Rritja kufizohet nga ngadalësimi i kërkesës në Kinë
Nafta i është rikthyer fitimeve gjatë tregtisë europiane, pas një tendence në rënie në tregtinë aziatike. Megjithatë, investitorët janë të shqetësuar për ngadalësimin e kërkesës në Kinë, që është importuesja më e madhe e naftës në botë, dhe për rritjen e normave të interesit në SHBA dhe në Europë.
Nafta Brent e Londrës po tregtohet në rreth 94 dollarë për fuçi, ndërsa nafta Bruto amerikane po tregtohet në rreth 88 dollarë për fuçi. Rritja e infektimeve me Covid-19 në Kinë dhe rikthimi i kufizimeve përkthehet në një kërkesë më të ulët nga ky vend.
Me një interes të veçantë investitorët po presin edhe të dhënat mbi inflacionin në SHBA, që publikohen pasditen e sotme dhe do të japin një panoramë më të qartë mbi politikën monetare që do të ndjekë Rezerva Federale.
Referuar të dhënave të tjera në SHBA, rezervat strategjike të ranë me 8.4 milionë fuçi, gjatë javës së kaluar, në totalin e 434.1 milionë fuçive, niveli më i ulët që nga tetori i vitit 1984. Në anën tjetër, mundësitë që nafta iraniane të rikthehet në treg janë zvogëluar ndjeshëm. Gjermania shprehu keqardhje se Teherani nuk ju përgjigj pozitivisht propozimit të Bashkimit Europian për të rikthyer marrëveshjen e vitit 2015.
SCAN
Material i përgatitur nga portali SCAN TV.
Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.