Në 90% të profesioneve, burrat kanë pagë më të lartë – Por, gratë paguhen më shumë për pozicionet drejtuese
Armela Duka/ SCAN
Sipas INSTAT, një punonjës në vend u pagua mesatarisht 70,539 lekë në muaj në vitin 2023, me një rritje nominale prej 14%. Megjithatë, edhe pse norma e grave me arsim të lartë është më e madhe se e burrave, ato vazhdojnë të paguhen më pak. Konkretisht, për burrat, paga mesatare ishte 72,681 lekë në muaj ndërsa për gratë paga mesatare arriti në 68,183 lekë në muaj.
“Scan Intel” ka analizuar shifrat për të kuptuar hendekun gjinor të pagave në Shqipëri. Ky tregues paraqet diferencën midis pagës bruto që merr një burrë dhe asaj që merr një grua. Gjatë vitit 2023 treguesi i hendekut gjinor të pagave paraqet një diferencë prej 6.5%, çka nënkupton se burrat paguhen mesatarisht 6.5% më shumë se gratë.
Nga 10 grup-profesione, që raporton INSTAT, vetëm në 1 prej tyre gratë paguhen më shumë. Pikërisht, fusha ku gratë “shkëlqejnë” është drejtimi. Në grup profesionin “Ligjvënës, nëpunës të lartë të administratës
shtetërore dhe drejtorë ekzekutivë” gratë kishin një pagë mesatare mujore bruto prej 119,648 në vitin 2023. Ky nivel, jo vetëm që është paga më e larta nga të gjithë grup-profesionet në vend, por është dhe 6.5% më e lartë sesa e burrave.
Grup-profesioni që paraqet dukshëm një pagë të lartë të burrave kundrejt grave është ai “Punonjës të shitjeve dhe të Shërbimeve” ku burrat paguhen 22.7% më shumë se gratë. Ky hendek thellohet akoma më shumë në grup-profesionin “Zejtarë, artizanë dhe profesione të lidhura me to” ku burrat marrin një pagë bruto mujore 27.2% më të lartë se gratë. Edhe në grup-profesionin “Specialistë me arsim të lartë” është dukshëm e qartë diferenca në paga, ku një burrë ka një pagë mesatare bruto 17.7% më të lartë se një grua. Në të kundërt, në grup-profesionin” Forcat e armatosura”,” Nëpunësit”, dhe “Punëtorë në profesione elementare” hendeku i pagave mes gjinive varion nga 0.3% në 5.9%.
Ashtu siç konstatuam se sipas grup-profesioneve burrat paguhen më shumë se gratë, njëjtë paraqitet situata edhe sipas aktiviteteve ekonomike. Përkatësisht, hendeku gjinor në paga është më i theksuar mes punonjësve që janë të punësuar në ndërmarrjet ekonomike, të cilët i përkasin grup-aktivitetit ekonomik “Industria nxjerrëse; përpunuese, energjia elektrike, gazi, avulli dhe furnizimi me ajër të kondicionuar, furnizimi me ujë, aktivitetet e” Trajtimit dhe menaxhimit të mbeturinave, rehabilitimit”. Për këtë grup-aktivitet, hendeku gjinor në paga është 25.6 %. Në të kundërt, ndërtimi është i vetmi grup-aktivitet ekonomik ku hendeku gjinor është në favor të grave, pasi ato paguhen 6.8% më shumë se burrat.
Material i përgatitur nga portali SCAN TV.
Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.