Tekstilet vijojnë të “dënojnë” eksportet. Ranë me 8.9% në Qershor. Ndikuan negativisht edhe ushqimet
Të dhënat e tregtisë së jashtme nuk befasojnë më edhe për muajin Qershor të këtij viti. Sipas publikimit të INSTAT, eksportet kanë vijuar rënien, edhe pse paraqitet më e lehtë se në muajin Maj. Shifrat tregojnë se eksportet arritën vlerën 35 mld lekë, duke u ulur me 8.9%, në krahasim me të njëjtën periudhë të një viti më parë dhe me 0.1%, në krahasim me Majin e vitit 2024. Nga ana tjetër, importet e mallrave kanë ndjekur një trajektore tjetër.
Vlera e tyre arriti në 77 mld lekë, duke u rritur me 2.1%, në krahasim me një vit më parë dhe duke rënë me 3.3%, në krahasim me një muaj më parë. Po ashtu, lajme negative kemi edhe sa i përket vlerës së defiçitit tregtar. Sipas INSTAT, defiçiti tregtar i këtij muaji është 42 mld lekë, duke u rritur me 13.4%, krahasuar me Qershorin e vitit 2023.
Nëse i analizojmë në volum, pra në peshë, vihet re se përgjatë një viti eksportet kanë rënë me 1.8%, ndërsa importet në volum janë rritur me 16% në Qershor.
Por çfarë tregojnë shifrat sa i përket gjashtë muajve të parë të vitit? Të dhënat sërish na paraqesin të njejtën panoramë. Në këtë gjashtëmujor eksportet e mallrave arritën vlerën 199 mld lekë, duke u ulur me 14.9%, ndërkohë importet e mallrave arritën vlerën 440 mld lekë, duke u rritur me 0.3%, krahasuar me një vit më parë.
“Scan Intel” ka analizuar ndryshimin vjetor të grupeve për të parë se ku vihen re diferencat më të mëdha. Të dhënat tregojnë se rënia më e madhe vjetore vihet re në grupin “Ushqim, pije dhe duhan” me 31.9%, pasuar nga grupi “Lëkurë dhe artikuj prej lëkure” me rreth 15% dhe “Tekstile dhe këpucë” me 15.8%, duke dëshmuar edhe njëherë ngërçin në këtë sektor nga rritja e kostove si pasojë e rënies së euros. Gati të gjitha grupet vihen re më rënie përveç grupit “Të tjera”, i cili ka shënuar një rritje prej 151%.
Por si kanë ndryshuar importi i grupeve kryesore në harkun kohor të viti? Rënia më e madhe e importeve vërehet në grupin e tekstileve. Grupi “Lëkure dhe artikuj prej lëkure” ra me 9.9%, ndërsa importet e grupit “Tekstile dhe këpucë” ranë me 8%. Nga ana tjetër, vihet re një rritje e importeve të materialeve të ndërtimit.
Xhorxhina Deda/SCAN
Material i përgatitur nga portali SCAN TV.
Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.