Në ushtrinë shqiptare rikthehen rezervistët – Gati ligji i ri. Shërbimi do të zgjasë jo më pak se dy vjet
Pas vitesh mungesë, në radhët e ushtrisë shqiptare do të kthehen rezervistët. Për këtë qëllim është hartuar një ligj i ri nga Ministria e Mbrojtjes, i cili tashmë ka nisur fazën e konsultimit publik. Projektligji titullohet “Për organizimin dhe funksionimin e Forcës Rezerviste në Republikën e Shqipërisë”, dhe rregullon ccdo aspekt të organizimit dhe funksionimit të këtij shërbimi, duke nisur nga përzgjedhja, te kohëzgjatja, lloji i aktiviteteve që do të mbulojnë.
“Shërbim ushtarak rezervist”, përcakton projektligji, është pjesë e shërbimit ushtarak dhe kryhet nga shtetasi shqiptar që ka kryer shërbimin e detyrueshëm ushtarak aktiv ose alternativ dhe ai që ka kapërcyer kufijtë e moshës së caktuar për kryerjen e këtij shërbimi, si dhe ushtaraku i nxjerrë në rezervë. Pjesë e tij do mundë të jenë ata shtetës që kanë shërbyer në Forcat e Armatosura si ushtarakë aktiv, ndërkohë që do ketë hapësirë edhe për shtetas që plotësojnë një seri kushtesh.
Kohëzgjatja e shërbimit ushtarak rezervist do të jetë nga 14 deri në 45 ditë në vit. Për nevoja të stërvitjeve ushtarake, që zgjasin më shumë se 14 deri 45 ditë në vit, ministri i Mbrojtjes urdhëron bashkimin e ditëve të stërvitjes të dy viteve, por jo më shumë se 45 ditë.
Shërbimi ushtarak rezervist, sipas projektligjit, do të kryhet nga shtetasit shqiptarë të moshës deri 50 vjeç për ushtarë, deri 55 vjeç për nënoficerë dhe deri 60 vjeç për oficerë.
Shtetasi, me pranimin në shërbimin ushtarak rezervist, nënshkruan kontratën e shërbimit ushtarak ku përcaktohet edhe koha e shërbimi ushtarak rezervist, për një periudhë jo më pak se 2 vjet me të drejtë rinovimi, por pa kaluar kriteret e qëndrimit në shërbimin ushtarak në rezervë.
Aktualisht, shërbimi ushtarak në rezervë, gjen rregullim të pjesshëm në disa nene me ligjin nr. 9047, datë 10.07.2003 “Për shërbimin ushtarak në Republikën e Shqipërisë”, i ndryshuar. Ky ligj është miratuar përpara 17 vitesh dhe ka përcaktuar rregullat për kryerjen e shërbimit ushtarak në Republikën e Shqipërisë, si dhe detyrimet e organeve shtetërore dhe subjekteve private për mobilizimin dhe shërbimin ushtarak.
Ai është hartuar në vitin 2003 dhe objekt i tij është shërbimi i detyrueshëm ushtarak, si ai aktiv dhe ai në rezervë. Por, sipas asaj që shkruan Ministria e Mbrojtjes në relacionin shoqërues të Projektligjit, më gjithë përpjekjet e bëra për ngritjen e strukturave e funksionimin, sipas eksperiencës së vendeve të NATO-s, akoma nuk është bërë organizimi dhe përdorimi i komponentit në rezervë.
Lorenc Rabeta/SCAN
Material i përgatitur nga portali SCAN TV.
Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.