Nga Praga 44 shtete dërgojnë sinjal të qartë: Rusia është e izoluar në Europë!
Në Pragë të Çekisë u mblodhën liderët e 44 vendeve europiane për t’i dërguar një sinjal të qartë Rusisë se Europa është e bashkuar dhe pa të. Emanuel Macron, ideatori i Komunitetit Politik Europian, tha nga Praga se samiti përurues i Bashkësisë Politike Europiane “tregon unitetin e kontinentit europian, teksa ai po përballet me pasojat e luftës së Rusisë në Ukrainë”. Sipas tij synimi, pikë së pari, është “të këmbehen pikëpamjet për situatën në Europë, por po ashtu për të ndërtuar një strategji të përbashkët”.
Kancelari gjerman Olaf Scholz theksoi rëndësinë e takimit për të demonstruar unitet në rrethanat e Luftës së Rusisë në Ukrainë: “Ata që po takohen këtu e dinë se sulmi rus ndaj Ukrainës është shkelje brutale e rendit të sigurisë dhe paqes që kemi pasur në Europë në dekadat e fundit. Është e rëndësishme që ky sulm të mos pranohet, ne nuk pranojmë që pjesë të fqinjit tonë të aneksohen”, tha Scholz.
Ndërsa, sa i përket Samitit Kancelari i Gjermanisë tha se duhet pasur kujdes që forumi i Komunitetit Politik Europian të mos shndërrohet në një institucion të ri ndërkombëtar. “Nuk kemi të bëjmë me krijimin e një institucioni të ri me administratë dhe burokraci. Ky takim duhet të na shërbejë për të biseduar me njëri-tjetrin për gjëra konkrete”.
Shefi i diplomacisë europiane Josep Borrell tha se “Komuniteti synon të krijojë një strukturë të re sigurie, por pa Rusinë”. Borrell tha se Komuniteti Politik nuk do ta përjashtojë Rusinë përgjithmonë, por “kjo Rusi, Rusia e Putin, nuk ka vend këtu”.
Komuniteti Politik Europian, sipas Presidencës Çeke të radhës së Bashkimit Europian nuk do të jetë zëvendësuese e procesit të zgjerimit, sidomos me vendet e Ballkanit Perëndimor. DW
E . S / SCAN
Material i përgatitur nga portali SCAN TV.
Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.