Fitch “zhvlerëson” Britaninë e Madhe – Ul perspektivën për vlerësimin në “negative”, nga “të qendrueshme”
Agjencia e vlerësimit Fitch uli perspektivën për borxhin e qeverisë britanike në “negative” nga “të qendrueshme”, pak ditë pas një lëvizjeje të ngjashme nga agjencia tjetër “Standard & Poor’s”. “Paketa fiskale e madhe dhe e pafinancuar e shpallur si pjesë e planit të rritjes ekonomike të qeverisë së re, mund të çojë në një zgjerim të konsiderueshëm të deficitit fiskal në periudhën afatmesme,” tha Fitch. Agjencia ruajti vlerësimin e kreditit “AA-” për Britaninë, që është një shkallë më i ulët se ai i “S&P”.
Ministri i Financave, Kwasi Kwarteng, në deklaratën e 23 shtatorit njoftoi një plan prej 45 miliardë paund për ulje të taksave, por të pafinancuar, së bashku me subvencionet e mëdha të energjisë dhe masat e tjera që synojnë nxitjen e ekonomisë, por tregjet financiare e penguan huamarrjen shtesë.
Sterlina ra në një nivel rekord të ulët kundrejt dollarit amerikan dhe disa obligacione të qeverisë britanike u zhvlerësuan, duke e detyruar Bankën e Anglisë të ndërhyjë për të stabilizuar tregjet.
Fitch tha se mungesa e parashikimeve të pavarura të buxhetit, si dhe një përplasje e dukshme me strategjinë kundër inflacionit të Bankës së Anglisë, kishte ndikuar negativisht në besimin e tregjeve financiare dhe besueshmërinë e politikave monetare, një pikë kyçe në vlerësimin afatgjatë.
Të hënën, Kwarteng tha se nuk do të vazhdonte me një pjesë të shkurtimeve të taksave, uljen e tatimit mbi të ardhurat për të pasurit, që Ministria e Financave kishte vlerësuar se do të kushtonte 2 miliardë paund në vit. Por, Fitch tha se kjo lëvizje nuk ishte e mjaftueshme për të ndryshuar vlerësimin e saj.
“Megjithëse ulja e tatimit mbi të ardhurat për të pasurit u anulua, qeveria mori një goditje, çka mund të minojë më tej besueshmërinë dhe mbështetjen për strategjinë fiskale të saj”, tha Fitch.
Agjencia e vlerësimit parashikoi se deficiti i Britanisë do të arrinte 7.8% të Prodhimit të Brendshëm Bruto këtë vit dhe 8.8% në 2023, ndërsa borxhi do të rritet në 109% të PBB deri në vitin 2024.
SCAN
Material i përgatitur nga portali SCAN TV.
Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.