Nafta, pranë niveleve maksimale – Pasi OPEC+ vendosi të ulë prodhimin me rreth 2 milionë fuçi në ditë
Çmimet e naftës ju afruan niveleve më të larta trejavore të enjten, pasi një ditë më parë OPEC+ ra dakord të shtrëngonte më tej furnizimin global të naftës së papërpunuar me një marrëveshje për të ulur prodhimin me rreth 2 milionë fuçi në ditë, më e madhja që nga viti 2020.
Kontratat e së ardhmes së naftës së papërpunuar Brent për furnizimin e dhjetorit ranë 8 cent, në 93,29 dollarë për fuçi, ndërsa kontratat e së ardhmes së naftës së papërpunuar të Teksasit Perëndimor për furnizimin e nëntorit ranë 15 cent, në 87,61 dollarë për fuçi.
Marrëveshja midis Organizatës së Vendeve Eksportuese të Naftës (OPEC) dhe aleatëve, përfshirë Rusinë, një grup i njohur si OPEC+, vjen përpara një embargoje të Bashkimit Europian ndaj naftës ruse dhe do të tkurrte më tej furnizimet në një treg tashmë të ngushtë, duke rritur inflacionin.
Megjithatë, duke pasur parasysh se prodhimi në disa nga vendet e OPEC+ është nën nivelet e synuara, ulja aktuale do të ishte më e vogël se ajo prej 2 milionë fuçi në ditë e rënë dakord në takim. Ministri saudit i Energjisë, Abdulaziz bin Salman, tha se, shkurtimi real i furnizimit do të ishte rreth 1 milion deri në 1.1 milion fuçi në ditë dhe ato ishin në përgjigje të rritjes së normave të interesit në Perëndim dhe dobësimit të ekonomisë globale. Mësohet se më shumë se gjysma e shkurtimit të furnizimit prej 1 milion fuçi pritet të vijë nga eksportuesi më i madh në botë, Arabia Saudite
Administrata e presidentit amerikan, Joe Biden, e ka kritikuar marrëveshjen si “dritëshkrutër”. Sipas Shtëpisë së Bardhë, Biden do të vazhdojë të vlerësojë nëse do të hedhë në treg më shumë naftë nga rezervat strategjike për të ulur çmimet.
Shtëpia e Bardhë tha se do të konsultohej me Kongresin për alternativa shtesë për të reduktuar kontrollin e OPEC dhe aleatëve të tij mbi çmimet e energjisë në një referencë të dukshme ndaj legjislacionit që mund t’i ekspozonte anëtarët e grupit ndaj padive antitrust.
SCAN
Material i përgatitur nga portali SCAN TV.
Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.