“Europa mund të përballojë ngrohjen me gaz” – Kreu i IEA: Dimri i ardhshëm mund të jetë shumë i vështirë
Europa mund të përballojë muajt e ftohtë të dimrit me ndihmën e depozitave të mbushura me gaz natyror, pavarësisht nga një rënie në dërgesat nga ish-furnizuesi kryesor Rusia, deklaroi kreu i Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë. Vendet europiane kanë mbushur depozitat e magazinimit në rreth 90% të kapacitetit të tyre, pasi Rusia ndërpreu furnizimin me gaz në përgjigje të sanksioneve perëndimore të vendosura për pushtimin e Ukrainës.
Çmimet e gazit, që u rritën në muajt pas fillimit të luftës, kanë regjistruar rënie, por kjo mund të jetë për një periudhë të shkurtër pasi vendet konkurrojnë për të blerë gaz natyror të lëngshëm. Për të ndihmuar në përballimin e rritjes së çmimeve të gazit, Bashkimi Europian po shqyrton vendosjen e një çmimi tavan, por blloku 27-vendesh është i ndarë pasi disa vende janë të shqetësuar se mund të vështirësojë sigurimin e furnizimeve.
“Me depozitat e gazit pothuajse në 90%, Europa do të mbijetojë në këtë dimër vetëm me disa probleme të vogla për sa kohë që nuk ka surpriza politike apo teknike,” deklaroi Fatih Birol, drejtor ekzekutiv i IEA me bazë në Paris. Por, sfidat e vërteta do të fillojnë në shkurt ose mars, kur depozitat duhet të mbushen sërish pasi kërkesa e lartë e dimrit do t’i ketë zbrazur në 25%-30%.
“Ky dimër do të jetë i vështirë, por dimri i ardhshëm mund të jetë gjithashtu shumë i vështirë,” tha Birol.
Derisa shpërtheu lufta në Ukrainë në fund të shkurtit, tubacionet Nord Stream nën Detin Baltik, që nga Rusia deri në Gjermani, ishin një nga burimet kryesore të gazit për Europën Perëndimore. Tre nga katër linjat janë çaktivizuar dhe Perëndimi dhe Rusia thonë se ishte sabotim që shkaktoi rrjedhje të mëdha.
SCAN
Material i përgatitur nga portali SCAN TV.
Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.