Ngadalësohet aktiviteti ekonomik në Kinë – Investitorët përfitojnë, ndërsa bie çmimi i naftës në tregje
Çmimet e naftës ranë të hënën, për shkak se investitorët morën fitime pas një raporti për ngadalësimin e aktivitetit ekonomik në Kinë, importuesi më i madh në botë i naftës së papërpunuar, që ringjalli shqetësimet për rënien e kërkesës globale të karburantit.
Kontratat e së ardhmes së naftës së papërpunuar Brent për dhjetorin ranë 85 cent, në 97.07 dollarë për fuçi, ndërsa nafta e papërpunuar e Teksasit Perëndimor për dorëzimin e nëntorit ra me 80 cent, në 91.84 dollarë për fuçi.
Aktiviteti i shërbimeve në Kinë gjatë shtatorit u tkurr për herë të parë në katër muaj pasi kufizimet e COVID-19 goditën kërkesën dhe besimin e biznesit. Ngadalësimi i ekonomisë së Kinës, shton shqetësimet në rritje për një recesion të mundshëm global të shkaktuar nga shumë banka qendrore që rrisin normat e interesit për të luftuar inflacionin e lartë.
Sipas analistëve, nafta po goditet në tre drejtime, që janë dobësia ekonomike e Kinës, shtrëngimi i politikës monetare në SHBA, si dhe mundësisë së hedhjes në treg të prodhimit shtesë nga Rezerva Strategjike e Naftës së SHBA muajin e ardhshëm në përgjigje të vendimit të OPEC+, për të ulur objektivin e prodhimit me 2 milionë fuçi në ditë.
Shkurtimet e OPEC+, të cilat vijnë përpara një embargoje të Bashkimit Europian ndaj naftës ruse, do të zvogëlojnë më tej ofertën në një treg tashmë të tkurrur. Sanksionet e BE-së ndaj naftës së papërpunuar dhe produkteve të naftës ruse do të hyjnë në fuqi përkatësisht në dhjetor dhe shkurt.
Analistët në banka dhe brokera kanë rritur parashikimet e tyre për çmimin e naftës së papërpunuar dhe presin që Brent të rritet mbi 100 dollarë për fuçi në muajt e ardhshëm. Pavarësisht shkurtimeve të premtuara në prodhimin, kompania shtetërore e naftës në Arabinë Saudite Saudi Aramco u ka thënë të paktën pesë klientëve të Azisë Veriore se do të marrin vëllime të plota të kontratës së naftës bruto në nëntor.
SCAN
Material i përgatitur nga portali SCAN TV.
Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.