Nis procesi i vlerësimit të Parimeve Themelore në Sigurime për Autoritetin e Mbikëqyrjes Financiare
Shoqata Ndërkombëtare e Mbikëqyrësve të Sigurimeve (IAIS) ka nisur procesin e vlerësimit të Parimeve Themelore në Sigurime (ICP) për Autoritetin e Mbikëqyrjes Financiare. Në këtë kuadër, Drejtori i Përgjithshëm Ekzekutiv i AMF-së, Ervin Mete, priti në një takim ekipin e vlerësuesve të IAIS, ku u diskutua në lidhje me programin e punës dhe metodikën e realizimit të vlerësimit.
Referuar njofftimit zyrtar tw takimit, drejtori i Përgjithshëm Ekzekutiv i Autoritetit u shpreh se qëllimi i procesit është vlerësimi i plotë i progresit të bërë nga Autoriteti dhe përputhshmëria e bazës ligjore e rregullatore, si edhe praktikave mbikëqyrëse me standardet më të larta ndërkombëtare në sigurime. Ai theksoi se që prej vlerësimit të realizuar përmes Programit të Vlerësimit të Sektorit Financiar (FSAP) nga ana e Bankës Botërore dhe Fondit Monetar Ndërkombëtar në vitin 2013, janë ndërmarrë ndryshime të rëndësishme në kuadrin ligjor e rregullator.
Përfaqësuesit e IAIS vlerësuan bashkëpunimin dhe gadishmërinë e shfaqur nga Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare gjatë fazës së parë të vetëvlerësimit, ndërsa theksuan se procesi do të shërbejë për identifikimin e nevojave për përmirësime të mëtejshme të praktikave mbikëqyrëse, apo ndërmarrjen e ndryshimeve ligjore në fushën e sigurimeve.
Ekipi i vlerësuesve të IAIS do të realizojë një vlerësim të plotë të progresit të bërë në aspekte si pavarësia institucionale e mbikëqyrësit, praktikat mbikëqyrëse, vlerësimi dhe analizimi i riskut, baza ligjore, procedurat e licencimit, mbikëqyrja e grupeve të sigurimit, etj.
Në muajin prill, Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare aderoi në Memorandumin Shumëpalësh të Mirëkuptimit (MMoU) të Shoqatës Ndërkombëtare të Mbikëqyrësve të Sigurimeve (IAIS), në funksion të bashkëpunimit dhe shkëmbimit të informacionit mes mbikëqyrësve në tregun e sigurimeve. Anëtarësimi i AMF në grupin e vendeve nënshkruese të MMoU-së u realizua pas një procesi rigoroz verifikimi të përputhshmërisë së bazës ligjore dhe rregullatore me standardet ndërkombëtare të IAIS.
Material i përgatitur nga portali SCAN TV.
Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.