“Pagesat në dyqane do të kryhen me kod QR” – Semi: Do të ulë përdorimin e parave në dorë dhe koston e transaksioneve
Ledina Elezi/SCAN
Banka e Shqipërisë pritet të zbatojë një sistem të ri për kryerjen më lehtë dhe më shpejt të pagesave nga qytetarët.
Në momentin që një individ dëshiron të blejë një produkt, biznesi do të ofrojë një kod QR që qytetari mund ta skanojë nëpërmjet telefonit të tij dhe të kryejë menjëherë pagesën, pa qenë nevoja që të nxjerrë kartën dhe pa përdorur një terminal POS.
Në një intervistë për Televizionin SCAN, Zëvendësdrejtorja e Departamentit të Sistemeve të Pagesave, Kontabilitetit dhe Financës në Bankën e Shqipërisë, Valentina Semi, shpjegoi më gjerësisht se si do të funksionojë ky sistem.
Sipas saj, ky sistem pritet të rrisë përfshirjen financiare, të ulë përdorimin e parasë fizike, por edhe koston e transaksioneve për biznesin dhe konsumatorët.
Ky sistem nisi më herët këtë vit si një projekt-pilot në tre qytete, Tiranë, Dibër dhe Përmet, ku 300 individë realizuan pagesa përmes aplikacioneve të ofruara nga bankat dhe institucionet e parasë elektronike në bizneset e vogla dhe të mesme për një periudhë 4 mujore pranë zonave ku banojnë.
Material i përgatitur nga portali SCAN TV.
Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.