Për çfarë e përdorin shqiptarët internetin? – Më shumë për shërbimet publike. Më pas për blerje online
Kalimi i shërbimeve publike online ka detyruar qytetarët që të përdorin më shumë internetin. Të dhënat më të fundit të INSTAT tregojnë se gjatë këtij viti, kanë shënuar rritje përdorimi i faqeve të internetit në lidhje me detyrimet e qytetarëve, të drejtat, dokumentet zyrtare, apo shërbimet arsimore publike. Rritja më e lartë është shënuar për kategorinë “shkarkimi apo printimi e formularëve zyrtarë” me 2,8 pikë përqindje, krahasuar me vitin 2022, ndjekur nga kategoria “marrje informacioni nga faqet ose aplikacionet e internetit”, në rritje me rreth 1,9 pikë përqindje.
Por, gjithnjë e më shumë qytetarë e përdorin internetin edhe për blerjet “online”, që u referohen porosive të mallrave, ose shërbimeve nëpërmjet internetit, blerjen e tyre nëpërmjet internetit për qëllime personale nëpërmjet çdo lloji pajisjeje.
Blerjet “online” janë kryer nga 38,5 % e popullsisë së grup-moshës 16-74 vjeç, tregues i cili ka shënuar një rritje prej rreth 3,8 pikë përqindje, krahasuar me vitin 2022. Ndër blerjet “online”, produktet apo shërbimet që zënë peshën më të madhe janë rrobat, këpucët dhe aksesorë me 88,8%, ndjekur nga shërbimet e dërgimit në shtëpi, nga restorantet, fast food dhe shërbimet katering me 40,3 %.
Përdorimi i internetit tek të rinjtë e moshës 16-24 vjeç është 99,1%. Individët e grup-moshës 65-74 vjeç, të cilët kanë deklaruar që nuk e kanë përdorur asnjëherë internetin zënë 32,3%, tregues që është zvogëluar 4,6 pikë përqindje krahasuar me vitin 2022.
Ndërkohë, përdorimi i internetit në vitin 2023 si për burrat edhe për gratë shënon vlerat më të larta, me rritje prej 0,5 pikë përqindje, krahasuar me vitin 2022. Gjatë vitit 2023, 84,6 % e burrave dhe 81,7% e grave të grup-moshës 16-74 vjeç janë përdorues të internetit.
Dorian Koça/SCAN
Material i përgatitur nga portali SCAN TV.
Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.