Procedura e sistemit të ri – Gjobat rrugore tani në e-Albania nëpërmjet mesazhit në telefon
Përmes sistemit e-gjoba, çdo drejtues mjeti që kryen një shkelje rrugore dhe ndëshkohet nga shërbimi policor do të njoftohet përmes një mesazhi apo në e-mail, duke pasur mundësinë të shlyejë detyrimin në kohë dhe përfitojë nga ulja e masës së gjobës 50 % kur e paguan brenda 15 ditëve.
Ministri i Brendshëm Taulant Balla, i shoqëruar nga drejtori i përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Muhamet Rrumbullaku, nga kreu i Policisë Rrugore të Tiranës, Besmir Qibini, si dhe ai i Policisë Rrugore të Shtetit, Altin Qato, teksa inspektuan zbatimin e paketës së sigurisë në shkolla në afërsi të gjimnazit “Ismail Qemali”, sqaroi se si i është dhënë zgjidhje shqetësimit të qytetarëve të cilët nuk informohen në kohë për gjobat e vendosura nga Policia Rrugore në dëm të tyre.
“Do të duhet që kundrejt konfirmimit të vetë qytetarit të adresës së e-malit dhe numrit të telefonit, brenda 7 deri në 10 minuta të marrin njoftimin për masën administrative. Nëpërmjet saj shmangim abuzimet, pasi kemi shumë ankesa nga qytetarë që vijnë për gjobat, duke pretenduar se është jo e drejtë, se nuk kam qenë në këtë aks rrugor, apo atë parkim”, tha drejtori i Policisë, Muhamet Rrumbullaku.
“Ky është momenti për t’i bërë thirrje çdo qytetari që nëse do të njoftohet për marrjen e penalitetit të shkeljes rrugore, mund të logohet në e-Albania dhe në momentin që kryen një shkelje rrugore mesazhi i vjen në telefon”, apeloi ministri Balla.
Drejtori i Policisë Rrugore Altin Qato shpjegoi se kështu zgjidhet dhe një nga shqetësimet e shumta të qytetarëve, pasi me ndryshimet e fundit në Kodin Rrugor, nëse pagesa e gjobës bëhet brenda 15 ditëve, shkelësi përfiton 50 % ulje të gjobës.
SCAN
Material i përgatitur nga portali SCAN TV.
Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.