Profil/ FREDERIK BASTIA – Avokati i zjarrtë i tregut të lirë
Ashtu si Anglia me shkollën e saj të lavdishme të filozofisë dhe ekonomisë politike edhe Franca e shekullit të 17 dhe 18 spikat me dritën flakëruese të liberalizmit klasik. Frederik Bastia është një prej majave intelektuale të kësaj epoke. Ai njihet si mbrojtësi i zjarrtë i lirisë ekonomike dhe paqes ndërkombëtare. Një mendje e kthjellët dhe e mprehtë, me esetë e tij të shkëlqyera ai bëhet rrënuesi më i fortë i të gjithë barrierave proteksioniste të të gjithë formave, një avokat i tregut të lirë dhe qeverisë së vogël. Nga pena e Bastia kanë dalë fraza të shkëlqyera një prej të cilave është edhe kjo:
“Shteti është entitet i madh imagjinar nëpërmjet të cilit të gjithë kërkojnë të jetojnë në kurriz të gjithë të tjerëve”.
Bastia u ushqye e jetoi në një epokë që pati fuqi të jashtëzakonshme intelektuale. Emra të shquar si Baroni de Monteskie, Fransua Kuisni, Jean Baptiste Say, Viktor Hugo dhe Alexis de Tokëvil ishin parardhësit mbi supet e të cilëve ai qëndroi. Mbi ato lartësi ai zbuloi kryqtarin e tregtisë së lirë, Richard Cobden në Angli dhe u bë frymëzim për John Prince Smith, i cili nisi lëvizjen e tregtisë së lirë në Gjermani. Ndikimi i Bastia u shtri dhe në Belgjikë, Itali, Spanjë e Suedi.
Ashtu si në titullin e shkrimit të fundit që la, “Çfarë shihet e çfarë nuk shihet”, jeta e tij përmban elemente “të dukshëm” dhe “të padukshëm”.Ajo që u pa lehtë nga bashkëkohësit e tij qe ardhja në vitin 1844 e një fshatari nga provinca në zemër të rretheve të ekonomistëve të sofistikuar urbanë parizienë.Në vetëm pak vite, deri në vdekjen e tij të parakohshme në 1850, Bastia ushtroi një ndikim të thellë në jetën intelektuale dhe politike franceze si teoricien, pamfletist, gazetar dhe deputet.
Ajo që nuk ishte parë nga bashkëkohësit qe historia para mbërritjes së papritur të tij në Paris. Sot, për ta plotësuar këtë boshllëk një ndihmë e mirë mund të jetë vepra që la pas. Ajo mund të shpjegojë se si banori i një fshati të vogël francez, pronar ferme u bë politikan i skenës kombëtare dhe mendja e ndritur që i tregoi rrugën e zhvillimit të kombit të vet.
BASTIA I “PADUKSHËM”
Jeta në provincë, 1801-1844
Frederik Bastia lindi më 30 qershor 1801, në Bayonne, një port detar në krahinën Landes, në Francën jugperëndimore. Bayonne ishte një qytet i qetë mesjetar. Familja Bastia erdhi aty nga Laurede, një fshat i vogël në Mugron, ku stërgjyshi, që kishte qenë pronar tokash, kishte hapur një biznes tregtar. Më 1760, Pierre Bastiat, gjyshi i Frederikut, hapi po ashtu një biznes tregtar, këtë herë në Bayonne së bashku me të birin Pierre, dhe dhëndrin Henri Monclar. Biznesi përfitoi nga ekskluziviteti i dhënë portit të Bayonne në 1784 që u mundësoi tregtarëve të furnizonin me verëra franceze dhe spanjolle Holandën dhe të tregtonin lesh me Spanjën e Portugalinë.
I ati i shtoi pronat dhe bleu disa ferma të cilat i la me qera. Por prosperiteti i tyre ekonomik qe jetëshkurtër. Bllokada kontinentale e Napoleonit më 1806, e cila ishte projektuar për të gjunjëzuar Anglinë duke parandaluar shitjen e mallrave britanike në Evropë; lufta detare midis Britanisë dhe Francës; lufta dhe pushtimi francez i Spanjës; i ndërprenë rëndë tregtinë dhe lidhjet e ngushta me Anglinë e Spanjën. Situata u komplikua më tej kur prindërit e Frederikut i zuri tuberkulozi.
Nëna e tij, Mari-Xhulie Fresho, vdiq kur ai ishte shtatë vjeç. Dy vjet më vonë i vdiq edhe babai. Për Frederikun nëntëvjeçar u kujdesën gjyshi Pierre dhe tezja e tij, Justine Bastia, që iu bë nëna e dytë.
Fëmijëria
Fréderiku ishte një fëmijë i gjallë, i talentuar, i qetë në çdo rrethanë. Për tu siguruar që talentet e tij të mos liheshin të pazhvilluara, Justine vendosi që ai të merrte një arsim të shkëlqyer. E dërgoi fillimisht në shkollën e mesme në Saint-Sever që ishte pranë; por shpejt zbuloi se arsimi atje ishte i pamjaftueshëm për djalin. Më 1814 e dërgoi në një nga shkollat më prestigjioze të kohës, në shkollën e mesme të Soreze, ku Bastia do të përfitonte shumë. Kjo për disa arsye.
Së pari se në atë shkollë bëhej regjistrimi i nxënësve me prejardhje të ndryshme sociale, fetare, krahinore e kulturore. Në këtë mënyrë krijohej një mjedis vërtet kozmopolit dhe tolerant për të mësuar. Nxënësit vinin nga disa vende evropiane dhe madje edhe nga Shtetet e Bashkuara. Kjo nuk është për t’u habitur duke pasur parasysh lidhjet e forta midis republikës së re amerikane dhe Francës, të tipizuara nga dashuria e Thomas Jefferson për letërsinë franceze dhe mendimin politik dhe ekonomik.
Së dyti në shkollën e Bastia ishte bërë “modernizimi” i kurrikulës duke përfshirë studimin e gjuhëve moderne. Latinishtja dhe greqishtja, të ashtuquajturat gjuhë të vdekura, u minimizuan në favor të anglishtes, gjermanishtes, italishtes dhe spanjishtes. Shkenca, matematika dhe kontabiliteti i njohën studentët me arsyetimin praktik ekonomik; debati energjik dhe i hapur i çështjeve filozofike i inkurajoi studentët të debatojnë idetë duke respektuar të tjerët dhe duke zhvilluar shkathtësinë intelektuale. Sporti dhe muzika ishin gjithashtu pjesë e kurrikulës—Bastia shkëlqeu në vrapim dhe kalërim; studioi edhe violonçelin, të cilën vazhdoi ta luante gjatë gjithë jetës së tij. Me pak fjalë ai Bastiat u brumos me një edukim të vërtetë “liberal”.
Fatkeqësisht, Bastia nuk qe në gjendje të përfundonte arsimin e tij dhe të merrte një diplomë. Në moshën shtatëmbëdhjetë vjeç ai u largua nga Soreze dhe u kthye në Bayonne për të ndihmuar xhaxhain në biznesin familjar. Megjithatë, përvoja e tij në shkollë, e cila e ekspozoi atë ndaj një mjedisi kozmopolit, tolerant dhe të orientuar drejt biznesit, e ndikoi thellësisht gjatë gjithë jetës së tij.
Zbulimi i Ekonomisë Politike
Gjatë gati shtatë viteve të tij në Bayonne, krahas punës në biznes, Bastia vijoi të zgjeronte horizontin e vet intelektual. Studioi ligjet e biznesit dhe lexoi veprat e shumë filozofëve, por më kryesorët qenë Adam Smith dhe Jean-Baptiste Say. Sidomos idetë e Say, mjaft të rëndësishme për atë kohë, patën edhe një rëndësi personale për Bastia. Bayonne, një port dikur i lulëzuar, ishte në rënie pjesërisht për shkak të regjimit proteksionist të vendosur nga monarkia e rikthyer më 1815. Ashtu si Bastia edhe Say e kishte nisur si biznesmen (prodhues tekstilesh) dhe po ashtu i kishte përjetuar efektet e proteksionizmit gjatë bllokadës kontinentale të Napoleonit.
Say rridhte nga një familje protestane e larguar nga Franca gjatë persekutimit fetar. Ai punoi ca kohë në Britani e më pas u kthye në një kompani sigurimesh në Paris. Aty shefi i tij i sugjeroi që të lexonte “Pasuria e Kombeve” të Adam Smithit. Libri e emocionoi atë aq shumë sa vendosi të thellohej për të kuptuar si funksionon një ekonomi. Më 1803 botoi veprën e tij kryesore “Traité d’économie politique” (Traktat i ekonomisë Politike).
Say theksonte me forcë se ekonomia më produktive duhet të mbështetet në pronën private, sipërmarrjen private dhe iniciativat private. Ai hodhi poshtë teorinë për vlerën e punës së Smithit, duke këmbëngulur se vlera përcaktohej nga klientët. Po ashtu hodhi poshtë pesimizmin e errët të Maltusit, i cili kishte frikë se rritja e popullsisë do të tejkalonte kapacitetin e prodhuesve privatë të ushqimit. Say besonte se kapitalizmi i tregut të lirë mund të arrinte përparim të pakufizuar.
Po ashtu ai i shihte tatimet si vjedhje. “Në momentin që ajo vlerë ndahet nga tatimpaguesi, ajo humbet pozitivisht për të; Në momentin që konsumohet nga qeveria ose agjentët e saj, ai humbet për të gjithë botën dhe nuk kthehet në shoqëri ose nuk riekziston kurrë. . . . Është një absurditet i dukshëm të pretendosh se taksat kontribuojnë në pasurinë kombëtare”, shkruan Say. Pas ribotimit të veprës së tij Say u bë profesor në College de France. Thomas Jefferson thuhet se donte ta punësonte atë në Universitetin e Virxhinias. Pas takimit me Say në Paris, John Stuart Mill e quajti atë tipin ideal të republikanit francez. Kështu Say frymëzoi një brez të ri liberalësh francezë të përkushtuar ndaj parimeve të laissez-faire. Nga Say, Bastia mësoi se liria ekonomike funksionon më mirë se sa ndërhyrja e qeverisë. “Unë kam lexuar Traité d’économie politique nga Jean Baptiste Say, një studim i shkëlqyer dhe metodik”, shkroi Bastia.
Në këtë kohë, Bastiat iu bashkua gjithashtu një lozhe masonike, La Zélée, e cila promovonte idealet e tolerancës dhe liberalizmit. U bë mik me bankierin Jacques Laffitte, që më vonë shërbeu si ministër i financave në qeverinë e Louis-Philippe.
Kur ishte 24 vjeç, më 1824, i vdiq gjyshi, nga i cili Bastia trashëgoi tre ferma të mëdha në Chalosse. Kjo e bëri që si shumë pronarë tokash me mendje reformuese para tij, ti futej punës për të rritur prodhimin e tyre. Për këtë pati idenë e zëvendësimit të rotacionit tradicional tre-vjeçar të të mbjelljave (një vit mbillej grurë, një vit misër dhe një vit toka lihej ugar) me një rotacion dy vjeçar, duke përjashtuar vitin e të lënit të tokës ugar. Eksperimenti i tij nuk pati sukses. Kështu i braktisi përpjekjet prej fermeri.
Në vijim iu kushtua leximit. U ndikua thellësisht nga vepra e Comte Traité de législation (Traktati i Legjislacionit) për të cilin shkruan se është “Libri që të tregon më shumë dhe të bën të mendosh më shumë.”
Më 1827, pasi lexoi me një frymë një kopje të Almanakut “Poor Richard” i shkroi një miku: “Kam zbuluar një thesar të vërtetë, një vëllim të vogël të filozofisë morale dhe politike të Franklinit. Unë jam aq entuziast për stilin e tij, saqë kam ndërmend ta përvetësoj si timin”.
Më 1830, Bastia vendosi të dojë një grua. U martua me Marie Hiard, por, siç ka shkruar biografi Louis Baudin, ai e la nusen në kishë pas dasmës dhe vazhdoi të jetonte si beqar.
Zbulimi i Richard Cobden
Në 26 korrik 1830, Mbreti Karl X pezulloi lirinë e shtypit, shpërndau Dhomën Franceze të Deputetëve, hoqi të drejtën e votës njerëzve të klasës së mesme dhe bëri thirrje për zgjedhje të reja në të cilat vetëm aristokratët mund të merrnin pjesë. Kjo shkaktoi një revolucion dhe pas tre ditësh trazira, ai abdikoi. Marquis de Lafayette i dha mbështetjen e tij Louis Philippe, i cili pranoi të shërbente si Mbret. Bastia mbështeti monarkinë kushtetuese të Louis-Philippe, e cila do të zgjaste nga viti 1830 deri në përmbysjen e saj me një revolucion tjetër më 1848.
Po atë vit, më 1830, kur ishte 29 vjeç, Bastia u emërua gjyqtar i paqes për qarkun e Mugronit, post që e mbajti deri në 1846. Gjatë kësaj kohe ai spikat për mjeshtëri, arsye të shëndoshë, për zgjidhje të shpejtë dhe efikase e mosmarrëveshjeve dhe kompetencë befasuese edhe pse nuk kishte shkollim formal ligjor. Reputacioni i tij ishte i tillë që palët ndërgjyqëse nga jashtë juridiksionit të tij gjeografik, apo edhe juridik, e kërkonin atë për të zgjidhur mosmarrëveshjet mes tyre.
Ky sukses si gjykatës, rriti reputacionin e tij si një nga qytetarët kryesorë të Mugronit dhe në 1833 u zgjodh këshilltar i përgjithshëm i qarkut, pozicion në të cilin u rizgjodh tre herë deri në vdekjen e tij. Ai tregoi interes për gjithçka që mund të favorizonte zhvillimin ekonomik të zonës. Gjatë udhëtimëve të tij në Spanjë dhe Portugali, ai pa me sytë e vet dhe dëshmoi marrëzinë e kufizimeve tregtare. Luftoi kundër proteksionizmit, i cili pengonte eksportin e verës. Luftoi kundër taksimit të tepërt të verës e pijeve alkoolike, të cilat ai besonte se po shkaktonin krizë në industrinë e verës. Gjatë atyre viteve shkroi shumë artikuj në shtypin lokal për temat kryesore mbi tregtinë e lirë që më vonë do ta bënin atë të famshëm si avokati kryesor i tregtisë së lirë në Francë.
Më 1844 dërgoi një artikull në Journal des économistes, i cili për çudinë e tij, u botua menjëherë duke shkaktuar sensacion. Artikulli argumentonte se tarifat ishin të këqija si për Britaninë ashtu edhe për Francën. Për këtë ai mori shumë letra urimi.
Në kohën e Bastia, Mugroni ishte një qytet port i lulëzuar. Kjo pasqyrohej në natyrën kozmopolite të borgjezisë së arsimuar. Qytetarët më në zë kënaqeshin duke u mbledhur në “The Academy”, një klub popullor, ku diskutoheshin tema të ndryshme filozofike, politike dhe ekonomike. Nuk është çudi që Bastia ishte një vizitor i rregullt. Një ditë, në vitin 1844, një nga anëtarët më anglofobikë të klubit i vuri me furi përpara një gazetë me citime nga fjalimi më i fundit i Sir Robert Peel, kryeministrit britanik, në Parlament. Përkthimi përfundonte kështu: “Ne nuk do ta miratojmë këtë masë. Nëse do ta bënim, do të binim, ashtu si Franca, në rangun më të ulët të të gjitha kombeve.” Bastiat u befasua se si një kryeministër britanik bënte një deklaratë kaq fyese për Francën. Menjëherë u abonua në gazetën angleze, Globe and Traveller. Pak kohë më vonë aty gjeti fjalimin e Peel në anglishten origjinale dhe zbuloi se fjalët “si Franca” nuk ishin thënë. Kishte qenë një përkthim i gabuar në frëngjisht nga një redaktor gazete, ndoshta armiqësor apo anti-britanik. Gjatë gjurmimeve në shtypin anglez ai mësoi për lëvizjen popullore të tregtisë së lirë të Richard Cobden që kishte krijuar Lidhjen Kundër Ligjit të Drithit. Ishte një realitet plotësisht i shpërfillur nga shtypi francez. Cobdeni dhe bashkëpunëtorët e tij po zhvillonin një fushatë për shfuqizimin e një ligji proteksionist që pengonin importin e lirë të drithërave. Ata kërkonin një regjim të tregtisë së lire, pasi mungesa e saj dhe proteksionizmi, bashkë me të korrat e pamjaftueshme të vitit 1844, kishin shkaktuar varfëri të thellë, mungesë ushqimi, madje edhe uri. Aristokracia britanike e tokave, duke dashur të ruante çmime të larta të brendshme për grurin, nuk donte të hapte kufijtë për grurin e huaj më të lirë. Familja e Bastia e kishte vuajtur vetë proteksionizmin. Ai vendosi të imitonte Lidhjen Kundër Ligjit të Drithit edhe në Francë.
Së pari filloi korrespondencën me Cobden. Pak muaj më pas Bastia kaloi Kanalin Anglez për ta takuar atë. “Unë nxitova për në shtëpinë e Cobdenit, ku patëm një bisedë që zgjati dy orë. Ai kuptonte shumë mirë dhe e fliste pak frëngjishten. Unë e kuptoja anglishten e tij. I shpjegova gjendjen në Francë” Dy ditë më vonë me kërkesën e Cobden, Bastia shkoi në Mançester, ku pa me sytë e tij përmasat e lëvizjes dhe e admiroi Cobdenin si një udhëheqës public. Miqësia me të u bë një nga kënaqësitë kryesore të atyre pak viteve të ngarkuara të jetës që i mbetën.
Sapo u kthye në Francë shkroi një artikull të gjatë, “Mbi ndikimin e tarifave franceze dhe angleze në të ardhmen e dy popujve”. Përfundimi ishte i qartë: Anglia, në prag të krijimit të tregtisë së lirë, do të gëzonte prosperitet në rritje, ndërsa Franca, e mbyllur në proteksionizëm, do mbetej pa shpresë. E dërgoi artikullin në “Le Journal des économistes” e cila e botoi menjëherë. Pati një sukses të menjëhershëm në rrethet e ekonomistëve më të shquar në Paris. Ata e ftuan Bastia atje dhe e mirëpritën si njërin nga kolegët e tyre.
BASTIA I “DUKSHËM”
Paris 1844-1850
Më 1844 Bastia mbërrin në Paris.“Po largohem nga Mugron.Duhet të ndahem nga ata që dua. Vetëm në Paris ka jetë, kudo tjetër vetëm sa vegjetohet”, shkroi para nisjes.
Ai sigurisht nuk dukej mbresëlënës në rrethet ku u mirëprit. Ka një përshkrim zbavitës të Bastia si provincial nga një zonjë që ai njohu shpejt atje, e cila vëren me kujdes prerjen jo pariziene të rrobave të tij:
“Veshja e tij ishte shumë e ndryshme nga ato që e rrethonin, saqë syri, sado i shpërqendruar, nuk mund të mos e dallonte menjëherë. Prerja e rrobave të tij, për shkak të gërshërëve të një rrobaqepësie nga Mugron, ishte shumë larg modeleve të zakonshme. Ngjyrat e ndezura, të larmishme dhe ata të dobëta ishin vendosur pranë njëra-tjetrës, pa asnjë përpjekje për harmoni. Dorezat me fije mëndafshi që mbulonin duart, mansheta e gjatë dhe e bardhë; jaka e mprehtë që mbulonte gjysmën e fytyrës; një kapelë e vogël mbi flokët e gjatë, gjithçka dukej qesharake. Por mes tyre spikaste pamja djallëzore e të sapoardhurit, shikimi i tij i ndritshëm dhe sharmi i bisedës së tij, që të bënte ta harroje shpejt pjesën tjetër. Çfarë zjarri, çfarë vrulli, çfarë bindjeje, çfarë origjinaliteti, çfarë sensi i shëndoshë dhe mendjemprehtë!”
Ndërsa miku i tij Gustave de Molinari shkruan: Me flokët e gjatë, kapelën e vogël, pallton e tij të madhe dhe ombrellën familjare, ai mund të ngatërrohej lehtësisht me një fshatar të ndershëm që kishte ardhur në Paris për herë të parë.
Por me kalimin e kohës gjërat do të ndryshojnë. Biografi George Roche vë në dukje se Bastia i vitit 1848 ishte shumë më kozmopolit, dhe vishej në stilet e kohës. Bastiat tani zotëronte përvojën botërore të shoqërisë pariziane.
Në Paris, vetë Bastia ndihej si në shtëpinë e tij. Filloi të dërgonte një lumë artikujsh të fuqishëm plot zgjuarsi të thellë në njohjen e problemeve ekonomike në gazetat kryesore pariziane dhe provinciale. Shumë prej këtyre artikujve u botuan në Le Journal des économistes dhe shpejt u ribotuan në formë libri me titull ‘Sofizmat Ekonomike’. Ndikimi i tyre qe i madh. Menjëherë u përkthyen në anglisht, italisht, gjermanisht e spanjisht.
Nga fundi i vitit 1845, Dhoma e Tregtisë e Bordos i kërkoi këshillë për mundësinë e krijimit të një lëvizjeje për të nxitur një bashkim doganor mes Francës e Belgjikës. Bastia argumentoi se energjitë e tyre do të kishin ndikim më të madh nëse do të bënin fushatë më të gjerë për tregtinë e lirë, sipas modelit britanik të Lidhjes Kundër Ligjit të Drithit. Dhoma pranoi këshillën e tij. Më 23 shkurt 1846 (po atë muaj kur Parlamenti Britanik shfuqizoi Ligjin e Drithit) u krijua Shoqata për Tregtinë e Lirë në Bordo, shoqata e parë e tillë që themelohej në Francë. Pak muaj më vonë një shoqatë e ngjashme u krijua edhe në Paris. Bastia qe forca shtytëse e kësaj shoqate kombëtare të tregtisë së lirë. Ai shërbeu si sekretar i përgjithshëm i saj dhe u bë redaktori i Le Libre échange, gazeta javore e shoqatës, ku do të botonte në vazhdim.
Por pas një fillimi premtues anëtarësimi i shoqatës filloi të ngecë dhe nga fundi i 1847 ishte e qartë se lëvizja nuk po ecte. Në një letër drejtuar Cobdenit, Bastia shkruante: “Në Francë të udhëzosh masat është një detyrë e pamundur, sepse ato nuk kanë as të drejtën qytetare, as zakonin, as dëshirën për mitingje madhështore dhe diskutime publike. Kjo është një arsye më shumë për mua që të synoj të fitoj kontakt me klasat më të shkolluara dhe me ndikim duke u bërë deputet.”
Bastia ndryshon kështu të menduarit strategjik për mënyrën më të mirë të një fushate për tregtinë e lirë. Ai po përgatitej të provonte diçka tjetër.
Në zgjedhjet legjislative të 1846, konkurroi përballë kandidates së mbështetur nga qeveria, Marie Gustave Larnac. Në manifestin e tij zgjedhor, të shkruar për t’u shpjeguar votuesve pozicionin e vet, Bastia përvijoi idetë e tij themelore politike dhe ekonomike: një qeveri e kufizuar rreptësisht në ofrimin e vetëm drejtësisë, zbatimit të ligjit dhe shërbimeve të mbrojtjes; tregtia e lirë ndërkombëtare; liria e arsimimit dhe mbrojtja e të drejtave pronësore. Por me gjithë qartësinë dhe logjikën e tij, ai humbi në zgjedhje.
Mundësia e dytë iu shfaq pas ditëve revolucionare të shkurtit 1848, të cilat rezultuan në rënien e Monarkisë së Korrikut dhe krijimin e Republikës së Dytë. Bastia u zgjodh në 1848 si deputet i Landes në Asamblenë Kushtetuese dhe u rizgjodh në 1849 në Asamblenë Legjislative. Për tridhjetë muajt e ardhshëm, megjithë shqetësimet shëndetësore ai punoi me ethe si deputet, pamfletist dhe teoricien.
Të qenët deputet dhe zgjedhja si nënkryetar i komisionit të financave, i dhanë mundësi të punonte me shumë figura kryesore, si poeti dhe historiani Alphonse Lamartine, romancieri Victor Hugo, teoricieni dhe shkrimtari politik Alexis de Tocqueville, anarkisti Pierre- Joseph Proudhon si edhe perandori i ardhshëm Louis-Napoléon Bonaparte.
Bastia nuk i përkiste asnjë partie politike sepse, sipas fjalëve të Léon Say, “Ai kishte një personalitet shumë të fortë për të qenë një politikan i plotë”. Bastiat zgjodhi të luftonte për lirinë ekonomike, duke konstatuar se e majta dhe e djathta shpesh bënin gabime serioze në lidhje me politikën ekonomike, dhe nuk kurseu asnjërën palë kur ishte fjala për të mbështetur parimet e tij. “Kjo është arsyeja pse në disa raste më është dashur të votoj me të majtën dhe në të tjera me të djathtën; me të majtën kur mbronte lirinë dhe Republikën, me të djathtën kur mbronte rendin dhe sigurinë.”
Edhe pse ishte nënkryetar i komitetit të financave – një pozicion i rëndësishëm në një kohë vështirësish të rënda buxhetore – Bastia luajti një rol modest, pasi ai nuk ishte një folës publik i talentuar. Ai nuk ishte i shkathët në replika dhe zëri i tij shpejt do të dobësohej nga sëmundja që do ta vriste së shpejti.
Vepra e Bastia: Tregtia e Lirë ushqen Paqen
Por nëse talenti i vërtetë i Bastia nuk qëndronte në të folurin publik, ai shkëlqeu me esetë dhe librat që rrodhën nga pena e tij në vitet e fundit të jetës së tij. Ndër pamfletet më me ndikim ishin Proteksionizmi dhe Komunizmi; Kapitali dhe Qiraja; Paqja dhe Liria ose Buxheti Republikan; Konfliktet parlamentare të interesit; Paratë e Mallkuara; Kredi Falas; Shteti; Plaçkitje dhe ligj; Ligji; dhe shkrimi i fundit fare “Çfarë shihet dhe çfarë nuk shihet”.
Bastia ishte i bindur se tregtia e lirë dhe paqja ishin të lidhura plotësisht mes tyre. Ai argumentonte se tregtia e lirë çonte në një bashkëpunim më të madh ndërkombëtar dhe pakësonte konfliktin ekonomik mes kombeve. Rritja e ndërvarësisë ekonomike ndërkombëtare që vinte nga avancimi i politikave të tregtisë së lirë dhe eliminimi i tarifave dhe subvencioneve, zvogëlonte fuqinë dhe ndikimin e interesave personale që nxiste luftërat.
Sofizmat ekonomike. Bastia shkroi një seri artikujsh për Journal des économistes, duke sulmuar gabimet e proteksionizmit. Për shembull, gabimi se tarifat nënkuptojnë standarde të larta jetese, se makineritë shkatërrojnë vendet e punës, se tarifat ruajnë pavarësinë ekonomike dhe sigurinë kombëtare. Ai e shihte gjithçka nga këndvështrimi i konsumatorëve. Esetë e tij ishin satira të kthjellta, dramatike, depërtuese, shpesh zbavitëse. Ai mblodhi 22 nga esetë në një libër, Sophismes économiques (Sofizma ekonomike), i cili u botua në fund të 1845. Një vëllim i dytë me 17 ese u publikua tre vjet më vonë. Ato u përkthyen në anglisht dhe italisht.
Në ato ese gjejmë parabola të jashtëzakonshme të penëss së tij:
“Ka burra që rrinë në pritë përgjatë gjithë gjatësisë së kufirit, të armatosur deri në dhëmbë dhe të ngarkuar me detyrën e vendosjes së vështirësive në rrugën e transportit të mallrave nga një vend në tjetrin. Ata quhen doganierë. Ata veprojnë saktësisht në të njëjtën mënyrë si balta dhe rrënojat. Ato vonojnë dhe pengojnë tregtinë; ato kontribuojnë në diferencën që kemi vënë re midis çmimit të paguar nga konsumatori dhe çmimit të marrë nga prodhuesi”.
Por satira më e famshme e Bastia ishte një peticion, me të cilin prodhuesit e qirinjve i bënë thirrje Dhomës së Deputetëve të Francës për ti mbrojtur nga një konkurrent tinëzar:
“Ne po vuajmë nga konkurrenca rrënuese e një rivali të huaj, i cili punon në kushte më të favorshme se tonat për prodhimin e dritës, saqë po vërshon tregun e brendshëm me të me një çmim tepër të ulët; në momentin që ai shfaqet, shitjet tona ndalojnë, të gjithë konsumatorët i drejtohen atij dhe një degë e industrisë franceze dhe furnitorët e saj të shumtë bien menjëherë në stanjacion të plotë. Ky rival, i cili nuk është askush tjetër veç diellit, po na bën luftë aq pa mëshirë sa dyshojmë se ai po nxitet kundër nesh nga…Anglia. Ne kërkojmë të jeni aq të mirë sa të miratoni një ligj që kërkon mbylljen e të gjitha dritareve, grilave të brendshme dhe të jashtme, perdeve dhe cdo të çare tjetër nëpër të cilën depërton drita e diellit.”
Le Libre-Échange. Bastia u bë nismëtari i Le Libre-Echange, (Tregtia e lirë) një gazetë javore me tetë faqe. Aty ai shpalli gjithë gëzim se
“Ne kërkojmë për të gjithë bashkëqytetarët tanë, jo vetëm liri për të punuar, por edhe liri për të shkëmbyer frytet e punës së tyre”.
Bastiat u bë kështu frymëzim për njerëzit që organizuan shoqata të tregtisë së lirë në Belgjikë, Spanjë e Itali.Ai pati ndikim edhe te intelektualët në Gjermani.Anglezi John Prince Smith (1809-1874), i cili kishte shkuar në Prusi dhe ishte bërë qytetar, u ndikua nga Bastia dhe promovoi gjerësisht idetë e tregtisë së lire atje.
Ligji. Në qershor 1850, Bastiat u kthye në Mugron dhe prodhoi një nga veprat e tij më kryesore: Ligji.Ai mbrojti fort filozofinë e të drejtave natyrore, mbrojtjen intelektuale më të fuqishme të lirisë.
“Secili prej nesh sigurisht që merr nga Natyra, nga Zoti, të drejtën për të mbrojtur personin e tij, lirinë dhe pronën e tij, pasi ato janë tre elementët që përbëjnë ose mbështesin jetën, elementë që janë reciprokisht plotësues dhe që nuk mund të kuptohen pa njëri-tjetrin. Ligji është organizimi i së drejtës natyrore për vetëmbrojtje legjitime”.
Bastiat vazhdoi të sulmonte atë që ai e quajti plaçkitje ligjore – ligje që shfrytëzojnë disa njerëz për të përfituar interesa të lidhura politikisht.Ai përshkroi se si ligje të tilla priren të politizojnë jetën private: Është në natyrën e burrave që të reagojnë kundër pabarazisë së cilës janë viktima.Prandaj, kur plaçkitja organizohet nga ligji për përfitimin e klasave që e bëjnë atë, të gjitha klasat e plaçkitura kërkojnë, me mjete paqësore ose revolucionare, të hyjnë në krijimin e ligjeve”.
Kështu Bastia demonstroi një kuptim të gjallë të asaj që kishte të bënte me socializmin: socialistët e konsiderojnë njerëzimin si lëndë të parë për ta përshtatur në kallëpe të ndryshme shoqërore.
Shpërthimi i eseve në këtë periudhë i mundësoi Bastiat-it të prekte një sërë pikash të teorisë ekonomike.Ai planifikonte prej kohësh që të shkruante një opus magnum të tij, që do të titullohej Harmonitë Ekonomike e që i cili do të pasohej nga një vëllim tjetër me titull Harmonitë Sociale.Megjithëse në angazime të shumta dhe i lodhur nga sëmundja, ai shkroi një draft të paplotë të librit të tij në vetëm tre muaj.
Turbekulozi
Në kulmin e angazhimit të tij intelektual e politik u diagnostikua me tuberkuloz. Në atë kohë ka shkruar se si ishte një ditë e tij:
“Ngrihem në orën gjashtë, vishem, rruhem, mëngjes dhe lexoj gazetat. Kjo shkon deri në shtatë e gjysmë. Rreth nëntës jam i detyruar të dal, sepse në orën dhjetë fillon seanca e Komisionit të Financave. Qëndroj aty deri në orën një, pastaj fillon seanca publike që vijon deri në shtatë. Kthehem në darkë dhe shumë rrallë ndodh që të mos ketë mbledhje edhe pas darkës. Jam thellësisht i neveritur me këtë lloj jete.”
Deri në gusht 1850, tuberkulozi iu përkeqësua. Mjeku e urdhëroi për heshtje absolute; dhe dy muaj u shpërngul jashtë Parisit. Më pas mjeku e këshilloi të shkonte në Itali. Në letrën e tij të fundit ai shkruan: “Jam në qytetin e përjetshëm, por i pamundur për të vizituar mrekullitë e tij. Dëshiroj vetëm një gjë, të çlirohem nga dhimbja e vazhdueshme që më mundon. Çdo vakt është një dënim. Të hash, të pish, të flasësh, të kollitesh janë të gjitha operacione të dhimbshme. Ecja më lodh – ajrimi me karrocë më irriton fytin – nuk mund të punoj më, madje as të lexoj.”
Të martën, më 24 dhjetor 1850, Bastia mori frymë për herë të fundit disa minuta pas orës pesë të pasdites. Ishte vetëm 49 vjeç. Kushëriri i tij, prifti Eugene de Monclar i qëndronte pranë. Dy ditë më vonë, pati një shërbim funeral në kishën Saint-Louis des Francais të Romës ku ai dhe u varros. Franca kishte humbur mbrojtësin e saj të madh të tregut të lirë.
Adi Darsi – SCAN
Material i përgatitur nga portali SCAN TV.
Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.