Rama: Shqipëria, infrastrukturë spektakolare në funksion të turizmit
Shqipëria do të ketë një infrastrukturë spektakolare në funksion të turizmit. Ka qenë kjo deklarata e kryeministrit Edi Rama në fjalën e mbajtur me rastin e prezantimit të aplikacionit të turizmit TEA, ku evidentoi projektet e mëdha infrastrukturore që jan në përfundim, dhe projektet e reja që do të çelen këto muaj.
Veç akseve rrugore, kryeministri evidentoi dhe projektet e porteve turistike dhe aeroporteve.
Sa i përket aplikacionit të turizmit, kryeministri bëri me dije se shumë shpejt në aplikacion do të aplikohet Inteligjenca Artificiale që do t’u mundësojë turistëve një eksperiencë të personalizuar në Shqipëri.
SCAN
Pjesë nga fjala e kryeministrit Edi Rama
Kemi fiksuar vitin 2030 si një pikë ku jo vetëm transformimi i deritanishëm i vendit do të bëhet i pakthyeshëm por kur Shqipëria pa asnjë dyshim do të rrezatojë në rajon shëmbëlltyrën e një vendi që është Europa e Ballkanit. Sot u njohët me versionin e ri të aplikacionit i cili është një inovacion i rëndësishëm në fushën e zhvillimit të turizmit dhe që do të vazhdojë të përmirësohet apo të pasurohet më tutje edhe me një gjenerator inteligjence artificiale i cili do t’u bëjë të mundur turistëve dhe vizitorëve që të bëjnë personalizimin e planeve të tyre të udhëtimit dhe po ashtu që të kenë në dispozicion harta dhe opsione të reja për të pasur një përvojë sa më të plotë të vizitës së tyre në vendin tonë.
Ne jemi të vetëdijshëm që ajo që duhet është më shumë në sensin që Shqipëria e 2030 duhet të jetë një vend dhe do të jetë një vend jo vetëm kampion padiskutim i këtij rajoni në turizëm që jo vetëm do të jetë stabilizuar gjithnjë e më shumë në ‘Champions League-n’ e Mesdheut por që do të ketë të plotësuar të gjithë ato pjesë të mozaikut që sot ende mungojnë, duke u nisur nga infrastruktura për të cilën ne po bëjmë një punë shumë intensive.
Ju besoj jeni të informuar që kemi një sezon të ri që hapet me disa vepra të mëdha infrastrukturore që i vihen në dispozicion vizitorëve, i vihen udhëtarëve dhe turistëve duke filluar nga tuneli i Llogarasë, një ide e vjetër, një zotim legjendar i të gjitha forceve politike në të gjitha fushatat e i cili këtë sezon do të jetë i kalueshëm për ata që do të shkojnë në jug apo që do të vijnë nga jugu. Duke vazhduar me rrugën e re Orikum-Dukat që zbulon një tjetër pjesë të panjohur të trupit të mrekullueshëm të Shqipërisë.
Duke vazhduar me aksin Thumanë-Kashar, një aks jashtëzakonisht i rëndësishëm edhe për vetë faktin që prurja e automjeteve nga veriu drejt Tiranës apo për më tutje në jug në periudhën e sezonit intensiv turistik bëhet e papërballueshme. Vjet ka qenë realisht një torturë për udhëtarët por ky aks është pjesë e Korridorit Blu, një tjetër projekt apo ide tjetër shumë e përqeshur kur ne e prezantuam para se të vinim në qeveri dhe sot jo vetëm është një korridor i miratuar si pjesë e Korridoreve të Bashkimit europian por edhe një korridor ku po ndërtohet.
Me aksin Thumanë-Kashar përfundon vetëm një nga segmentet e tij dhe në ditët në vijim nis puna për segmente të tjera, segmenti Kashar-Lekaj që do të bëjë të mundur një autostradë terësisht të re për të lidhur Tiranën me Rrogozhinën dhe pastaj Lekaj-Fier për t’u lidhur me Vlorën, duke garantuar kushtet e një autostrade shpejtësie në një kohë që rrugët ekzistuese do të jenë alternative, si dhe segmenti mësipër Thumanë-Milot për të përfunduar me hapjen e garës në fund të këtij muaji besoj për Milot-Balldren dhe për pastaj, Balldren-Muriqan për t’u lidhur me Malin e Zi. Kjo është njëra anë. Me këtë infrastrukturë të re e cila do të jetë e përfunduar terësisht brenda kësaj dekade, Shqipëria e 2030 do të ketë një ofertë turistike absolutisht spektakolare në aspektin e transportit, sa i përket flukseve që shkojnë drejt bregdetit.
Nuk po zgjatem me pjesët e tjera që lidhen me Korridorin 8. Ndërkohë që aeroporti i Vlorës do të përfundojë punimet brenda këtij viti. Do të kalojë periudhën e testit dhe certifikimeve në 6 mujorin e parë të vitit të ardhshëm dhe me ndihmën e Zotit do të jetë operacional sezonin e ardhshëm turistik. Me një operator që vetë emri i thotë të gjitha; është aeroporti i Mynihut. Do të hapet gara për aeroportin e Gjirokastrës.
Nga të gjitha studimet e bëra si dhe nga të gjithë mësimet e marra me përpjekjen për aeroportin e Sarandës kemi arritur në konkluzionin që vendi më ideal për të garantuar të gjitha nevojat që ka aviacioni për shkak të gjithë komponentëvë që lidhen me koridoret dhe erëra është Gjirokastra. Ndërkohë që infrastruktura e re lidhese e ndërtuar me Sarandën e bën atë aeroport, një aeroport brenda parametrave të kërkuara nga hotelet me 5 yje, pa llogaritur të tjerët.
Në fund dua të shtoj edhe portet sepse jemi një vend që trashëguam një situatë prej vrime të zezë në Mesdhe dhe një vend që praktikisht nuk figuronte fare në hartën e lundrimit turistik të Mesdheut.
Siç e dini ka filluar puna për portin turistik të Durrësit, për portin turistik të Vlorës.Jemi në pritje të përfundimit të një absurdi lidhur me Limionin e Sarandës, një absurd i natyrës le të themi juridike por në fakt nuk është i tillë, është shumë më pranë letërsisë surrealiste sesa letërsisë juridike dhe jemi shumë shumë optimistë që me hapjen e këtij komponenti të sektorit që janë portet turistike, kuadri do të jetë jo vetëm terësisht i plotësuar por njëkohësisht do të kemi një rritje shumë të ndjeshme jo thjesht të numrit të vizitorëve, sepse nuk është numri i vizitorëve që na intereson në mënyrë ekskluzive por të ardhurave nga këta vizitorë…
Material i përgatitur nga portali SCAN TV.
Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.