“Raporti më pozitiv që ka patur Shqipëria” – Kryeministri Rama vlerëson dokumentin e Komisionit Europian
Hamit Yzeiraj/SCAN
Pas publikimit një ditë më parë të progresraportit për vitin 2024 për Shqipërinë nga ana e Komisionit Europian, në mënyrë simbolike ambasadori Silvio Gonzato ja ka dorëzuar këtë dokument kryeministrit Edi Rama. Gjatë konferencës së përbashkët për mediat, Kryeministri Rama shprehu vlerësimin duke përmendur se ky ishte raporti më pozitiv që ka patur Shqipëria. Sipas tij, ekonomia e vendit pati zhvillime pozitive përgjatë vitit 2024.
“Ne sot marrim një raport shumë pozitiv, raporti më pozitiv i të gjithë këtyre viteve dhe normalisht i tillë sepse e tillë është edhe ecuria e vendit. Raporti e rikonfimon në vlerësimin e vet edhe këtë vit, vazhdimin e rritjes ekonomike të vendit dhe përgatitjen e mëtejshme të Shqipërisë për një ekonomi tregu funksionale, në bazë të parimeve dhe kushteve që garanton Bashkimi Europian në çdo vend anëtar të tij. Dhe së fundmi, por jo nga rëndësia, e theksoi dhe ambasadori, politika e jashtme dhe e sigurisë e Shqipërisë që vlerësohet me notat më maksimale.”
Nga ana e tij, Ambasadori i Delegacionit të Bashkimit Europian, Silvio Gonzato shprehu mbështetjen e dhe vlerësoi progresin që ka bërë Shqipëria përgjatë vitit 2024 duke hedhur hapa drejt integrimit në BE.
“Më lini të them sigurisht, nëqoftëse shtetet anëtare janë të bindura që Shqipëria vërtetë ka bërë progres dhe ka përmbushur piketat apo standardet e anëtarësimit që janë të nevojshme për të kaluar këtë fazë, jam vërtetë besimplotë që mund të bëjmë progres të konsiderueshëm në këtë drejtim dhe në fakt mendoj që është e rëndësishme që të kesh një objektiv të tillë sepse kjo jep fokus dhe po kështu ofron stimul e gjithashtu jep pronësi mbi procesin e Shqipërisë.”
Sipas progresraportit për vitin 2024, për sa i përket sektorit të Ekonomisë kishte dhe disa pika ku duhet të ndërhyrë, si reduktimi i informalitetit dhe i normës së papunësisë.
Material i përgatitur nga portali SCAN TV.
Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.