Rritja e çmimeve të energjisë – Von der Leyen: Brenda dy javëve, propozimi ynë për të frenuar rritjen
“Komisioni Europian do të dalë brenda dy javëve të ardhshme me një propozim për të frenuar rritjen e çmimeve të energjisë. Qëllimi është të ulim çmimet në një nivel të caktuar pa rrezikuar sigurinë e furnizimit.” Kështu deklaroi presidentja e Komisionit Ursula von der Leyen, në një deklaratë për mediat nga Talini pas takimit me kryeministren e Estonisë, Kaja Kallas.
Në buxhetin e BE-së burimet dhe fleksibiliteti janë jashtëzakonisht të kufizuara, shtoi von der Leyen. Sipas saj, buxheti ynë nuk ishte projektuar për t’u përballur me sfida të shumta, siç është lufta në Ukrainë. Ai u konceptua në vitin 2020 dhe shumë sfida u shfaqën më vonë. “Nëse duam të vazhdojmë të përdorim buxhetin e BE-së për të dhënë përgjigje të përbashkëta ndaj sfidave të përbashkëta, ne duhet të bëjmë një rivlerësim të nevojave të reja dhe situatave të reja gjeopolitike”, nënvizoi von der Leyen.
“Presim që finalizimi i marrëveshjes për propozimin legjislativ të Komisionit për gazin të jetë në nëntor, kur do të mblidhet Këshilli i ri i jashtëzakonshëm për Çështjet e Energjisë”, theksoi ajo. Sipas një zyrtari të lartë europian, në Këshillin e Çështjeve të Energjisë që pritet të mblidhet Brenda kësaj jave, Komisioni do të sqarojë përmbajtjen e propozimit të tij, që pritet më pas të mbërrijë në tryezën e takimit të ministrave të Energjisë më 25 tetor. Samiti i liderëve në Bruksel do të shërbejë për të hequr çdo pengesë të mundshme për arritjen e një marrëveshjeje, shtoi zyrtari europian.
SCAN
Material i përgatitur nga portali SCAN TV.
Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.