Rritja e çmimit të energjisë – Vendet që ndihmojnë qytetarët e tyre të paguajnë faturat
Inflacioni në rritje ka shkaktuar një krizë për sa i përket kostos së jetesës në Europë dhe qeveritë po përpiqen të mbrojnë familjet dhe bizneset nga rritja e çmimit të energjisë.
Për shumë familje këto ditë, paratë po “avullojnë” menjëherë përballë rritjes së çmimit të ushqimeve, karburantit, qirave, si dhe të shërbimeve të ndryshme.
Inflacioni në zonën euro ka mbërritur në një rekord prej 9.1% në muajin gusht, kryesisht i nxitur nga rritja e cmimit të energjisë. Ndërkohë, nuk ka asnjë shenjë se kriza energjetike do të përmirësohet.
Në Britani qeveria ka vendosur një kufi përsa i përket faturave të energjisë për bizneset këtë dimër, si pjesë e një pakete masash në mbrojtje të qytetarëve dhe sipërmarrjeve. Kjo masë do të jetë në fuqi për gjashtë muaj duke filluar nga 1 tetori. Dyqanet dhe pub-et do të përfitojnë ndihmë financiare për faturat e tyre të energjisë dhe pas periudhës gjashtë mujore. Për sa i përket familjeve, ato nuk do të paguajnë më shumë se 2.857 euro në vit për dy vitet e ardhshme.
Italia miratoi në fillim të muajit gusht një paketë të re ndihmash rreth 17 miliardë euro në ndihmë të bizneseve dhe familjeve përballë rritjes së kostos së jetesës. Kjo e coi në 35 milionë euro shumën e ndihmave financiare që qeveria ka miratuar për qytetarët këtë vit. Gjithashtu, kompanitë që po përfitojnë më shumë të ardhura si pasojë e çmimit të lartë të energjisë, do të taksohen.
Edhe në Spanjë është vendosur të taksohen kompanitë energjetike që përfitojnë nga rritja e cmimeve, ndërsa paratë do të përdoren për të ndihmuar qytetarët që të paguajnë faturat. Dhe këtu është vendosur një kufi për koston e faturës së energjisë që do të jetë në fuqi për një vit, duke siguruar një çmim më të ulët se 50 euro për megavat orë.
Franca ndihmon me 100 euro qytetarët e saj për të paguar fatura, si dhe ka shtetëzuar kompaninë energjetike EDF duke e detyruar që të vendosë një kufi për çmimin e shitjes së energjisë.
Në qershor, Danimarka miratoi një paketë ndihmash prej 417 milion eurosh për qytetarët, nga të cilat 269 milionë euro do të shpërndahen në 400 mijë familje që janë prekur nga rritja e çmimit të energjisë.
Gjermania ende në vështirësi për të reduktuar varësinë nga gazi rus ka miratuar dy paketa ndihmash me një vlerë totale prej 30 miliardë eurosh në ndihmë të qytetarëve. Familjet që marrin mbështetje financiare për fëmijët do të marrin bonus prej 100 euro për fëmijë, ndërsa njerëzit në vështirësi do të marrin 200 euro për të paguar faturat e tyre. Ata persona, të cilët marrin asistencë sociale do të kenë një bonus prej 270 euro.
Në Holandë, ku inflacioni është në nivelin 5.2% këtë vit, qeveria miratoi një kompensim të vetëm për energjinë për familjet në vështirësi, prej 800 euro.
Greqia ka shpenzuar 7 miliardë euro në ndihma financiare për qytetarët që nga shtatori i një viti më parë për familjet, bizneset dhe fermerët që të paguajnë faturat e tyre të gazit dhe energjisë.
Në Norvegji, qytetarët paguajnë faturat e tyre të energjisë vetëm në momentin që çmimi është nën 7 euro për kilovatorë. Nëse ky çmim është më i lartë, 80% e faturës paguhet nga shteti.
Bullgaria miratoi në maj një paketë prej 1 miliard dollarë ndihma në mbështetje të kompanive dhe familjeve me të ardhura të ulëta. Që nga muaji korrik, qeveria ofron një ulje prej 0.13 euro për çdo litër karburant.
Qeveria e Finlandës do të japë 10 miliardë euro për sektorin e energjisë në mënyrë që të shmaget kriza financiare.
Hungaria mban të palëvizur cmimin e karburanteve 1.19 euro litri deri në nëntor. Gjithashtu dhe faturave të energjisë i është vendosur një kufi. Gjithashtu vendi ka ndaluar eksportin e karburantit.
Polonia ka hequr taksat për energjinë, karburantin dhe ushqimet bazë, si dhe ka miratuar ndihmë financiare për familjet. Çmimi i gazit do të ketë një kufi për familjet, shkollat dhe spitalet deri në vitin 2027. Familjeve iu është dhënë një shumë prej 633 euro për të përballuar rritjen e çmimit të qymyrit.
Dhe në Rumani është vendosur një kufi për faturat e energjisë për familjet, si dhe është miratuar një ndihmë financiare për të ndihmuar në pagesën e tyre. Vendimet do të jenë në fuqi deri në mars 2023. Plani i qeverisë ka një kosto prej 10 miliardë euro.
Suedia ka parashikuar 559 milionë euro për të ndihmuar familjet të përballen me rritjen e çmimit të energjisë.
SCAN
Material i përgatitur nga portali SCAN TV.
Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.