Rritje e moderuar e kredive me probleme – Në korrik rezultuan 5.28%, nga 5.20% në muajin qershor
Kredia me probleme në sistemin bankar ka vijuar të mbetet në nivele të ulëta edhe në muajin korrik, duke shënuar një rritje minimale shkaktuar kryesisht nga rënia e bazës krahasuese, që lidhet kryesisht me tkurrjen e kredisë në monedhën e përbashkët evropiane. Banka e Shqipërisë raporton se huaja me probleme në korrik rezulton 5.28% nga 5.20% në muajin qershor. Në korrikun e vitit 2022, huaja me probleme zinte 5.27% të totalit, duke mbetur në nivele lehtësisht më të ulëta përgjatë gjithë 12 mujorit.
Ndërkaq kreditimi, veçanërisht ai në valutë të huaj, ka shënuar tkurrje gjatë muajve të verës, në reflektim të rritjes në nivele rekord të normës bazë të interesit nga Banka Qendrore Evropiane, por edhe të vështirësive që po hasin bankat në miratimin e huave të reja për shkak të dixhitalizimit të shërbimeve kadastrale. Konkretisht, norma e eurobor-it 12-mujor ka arritur në 4.0% në muajin qershor, nga 0.29% që ishte në të njëjtin muaj të vitit të kaluar.
Interesi mesatar i kredisë së re në euro për bizneset rezultoi mesatarisht 6.1% në tremujorin e dytë, nga 5.4% që ishte në dy tremujorët paraardhës. Ndërkaq, kredia hipotekare në euro për individët rezultoi 5.0% në fund të gjashtëmujorit, me një rritje prej 1.4 pikë përqindje krahasuar me nivelin mesatar të tremujorit të parë të këtij viti dhe të vitit të kaluar. Specifikisht, kredia në total rezulton 704 miliardë lekë, për muajin korrik, nga 713 miliardë lekë në qershor.
Por ndërsa rezultojnë në rritje të lehtë për shkak të rënies së bazës krahasuese, kreditë me probleme kanë vijuar të favorizohen nga mbiçmimi i lekut në raport me valutat e huaja, e veçanërisht me monedhën e përbashkët evropiane. Mbiçmimi i lekut ka sjellë së pari tkurrjen e vlerës totale të kredive në valutë të huaj, por edhe ka neutralizuar rritjen e fortë të normave të interesit të kredisë në euro duke favorizuar dukshëm të gjithë ata subjekte që i kanë kreditë në euro dhe të ardhurat në lekë.
I parë në terma makro, forcimi i kursit të këmbimit ka ndihmuar në forcimin e stabilitetit financiar, nëpërmjet përmirësimit të bilanceve financiare të kredimarrësve në valutë dhe efektit pozitiv në nivelin e kredive me probleme, të cilat edhe për korrikun mbetën në nivele të moderuara.
Lorenc Rabeta/SCAN
Material i përgatitur nga portali SCAN TV.
Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.