Sa do t’i kursejë botës “tranzicioni i gjelbër” – Energjia, përfitimet nga burimet e rinovueshme
Bota mund të kursejë rreth 12 trilionë dollarë deri në vitin 2050 përmes kalimit nga lëndët djegëse fosile në burimet e rinovueshme të energjisë, bazuar në llogaritjet e një studimi të fundit të përgatitur nga Universiteti i Oksfordit. Çmimet e gazit natyror janë rritur gjatë kësaj periudhe, për shkak të shqetësimeve në rritje për furnizimet me energji. Megjithatë, studiuesit thonë se kalimi në energjinë e gjelbër tani është edhe ekonomikisht i qëndrueshëm për shkak të uljes së kostos së burimeve të rinovueshme të energjisë.
Përmirësimet e vazhdueshme në teknologji kanë rezultuar në rënien e kostos së energjisë diellore dhe të erës me një normë që i afrohet 10% në vit. Gjetjet e raportit bazohen në një ekzaminim të të dhënave historike mbi çmimet e burimeve të rinovueshme të energjisë dhe lëndëve djegëse fosile, si dhe në modele që parashikojnë ndryshimet e tyre të mundshme në të ardhmen.
Duke parë çmimet historike të karburanteve fosile gjatë 100 viteve, deri në vitin 2020, studimi zbuloi se kur inflacioni dhe paqëndrueshmëria e tregut merren parasysh, kostot nuk kanë ndryshuar shumë. Sa i përket burimeve të rinovueshme të energjisë, që ekzistojnë në këtë formë vetëm në dekadat e fundit, të dhënat historike janë më të pakta. Por në atë kohë, përmirësimet e vazhdueshme në teknologji kanë rezultuar në rënien e shpejtë të kostos së energjisë diellore dhe të erës, me një normë që i afrohet 10% në vit.
Duke aplikuar modele që përdorin të dhëna për investimet e mëdha dhe ekonomitë e shkallës që kanë bërë më të lira teknologji të tjera të ngjashme, studimi arrin në përfundimin se kosto e energjisë së rinovueshme do të vazhdojë të bjerë.
Energjia e erës dhe ajo diellore janë tashmë opsioni më i lirë për projektet e reja të energjisë, por mbeten pyetjet se si të ruhet më së miri energjia, por gjithashtu të sigurohet që rrjeti të jetë i balancuar kur ndryshimet e motit çojnë në gjenerim më të ulët të burimeve të rinovueshme të energjisë. Në Britani, në vitin 2019, sekretari i Thesarit, Philip Hammond, vlerësoi se kosto e arritjes së qëllimit të emetimeve zero të dioksidit të karbonit deri në vitin 2050 do të kalonte 1 trilion paund.
Në raportin e përgatitur nga Universiteti i Oksfordit thuhet se kostot janë mbivlerësuar dhe kanë vepruar si pengesë për realizimin e investimeve. Sipas raportit, parashikimet e Panelit Ndërqeveritar për Ndryshimet Klimatike (IPÇ) që vlerësojnë se përpjekja për të mbajtur rritjen e temperaturës së planetit nën 2 gradë Celsius do të sjellë humbje të Prodhimit të Brendshëm Bruto Botëror, ishin shumë pesimiste. Tranzicioni në energjinë e rinovueshme ka të ngjarë të ketë përfitime neto ekonomike, përfundojnë autorët e studimit të Oksfordit.
SCAN
Material i përgatitur nga portali SCAN TV.
Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.