Sa minerale prodhon Shqipëria? Analiza e shifrave, vendi ka 236 licenca aktive
Prodhimi i mineralit të kromit pësoi rënie të lehtë gjatë vitit 2023, në raport me 1 vit më parë. Sipas të dhënave zyrtare nga Agjencia Kombëtare e Burimeve Natyrore, në fund të vitit 2023, në këtë degë të industrisë minerare u prodhuan rreth 920 mijë ton mineral kromi kryesisht për eksport apo rreth 1.3% më pak se në vitin 2022 kur u nxorrën rreth 933 mijë ton.
Gjithsesi, kjo rënie vjen pas rritjes së konsiderueshme prej 43.5% të prodhimit gjatë vitit 2022, në raport me vitin 2021. Sa i takon prodhimit të këtij minerali gjatë 10 viteve të fundit, të dhënat tregojnë se sasia më e madhe është nxjerrë në vitin 2019, me gati 1.3 mln ton mineral. Më pas industria u godit nga pandemia e COVID 19, për të nisur rimëkëmbjen në vitin 2022.
Sipas të dhënave nga Agjencia Kombëtare e Burimeve Natyrore në aktivitetin minerar të kromit në vitin 2023 ishin aktive 236 licenca shfrytëzimi minerare, nga 249 licenca që regjitroheshin në vitin 2022. Ndërkohë që, aktivitetet prodhuese janë të përqendruara në Bulqizë me 120 leje aktive të ndjekura nga Kukësi, Tropoja dhe Hasi.
Sipas AKBN, në degën e industrisë minerare të kromit kryhen dhe vazhdojnë të ndërmerren investime të rëndësishme si në shfrytëzimin e mineraleve ashtu edhe në prodhimin e koncentratit dhe ferrokromit.
Ola Mitre /SCAN
Material i përgatitur nga portali SCAN TV.
Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.