Sanksionet, Kina bllokon pagesat nga Rusia – Bankat kineze rikthejnë shumat në juanë pa dhënë detaje
Dorina Kurtaj / SCAN
Rreth 80% e pagesave nga Rusia në Kinë në juanë po kthehen sërish në destinacionin origjinal sepse bankat kineze kanë frikë se do të përballen me sanksione dytësore, shkruan gazeta ruse Kommersant, duke cituar një burim në tregun financiar.
Burime të tjera gazete theksojnë se pagesat mund të qëndrojnë në llogari për disa javë dhe më pas të kthehen, pa shpjegime.
Situata u përshkallëzua në qershor kur SHBA zgjeroi përkufizimin e ‘Kompleksit Ushtarak-Industrial Rus’ për të përfshirë bankat kryesore ruse.
Problemet me tregtinë në Kinë nga Rusia filluan në dhjetor 2023, kur SHBA njoftoi vendosjen e sanksioneve dytësore ndaj bankave të vendeve të tjera, të cilat punojnë me ndërmarrjet ruse të Kompleksit Ushtarak-Industrial.
Ndonjëherë produktet dërgohen në Rusi nga Kina, por furnizuesi kinez nuk mund t’i mbledhë paratë e tij për pesë deri në gjashtë muaj.
Për të kryer pagesat, importuesit rusë janë të detyruar të përdorin shërbimet e agjentëve të pagesave. Komisionet e tyre mund të arrijnë deri në 30% të shumës së transferuar.
Material i përgatitur nga portali SCAN TV.
Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.