SHBA arrin kufirin e huamarrjes – Yellen i kërkon Kongresit të ndërmarrë veprime të menjëhershme!
Sekretarja e Thesarit, Janet Yellen paralajmëroi se SHBA do të arrijë kufirin e huamarrjes prej 31.4 trilion dollarësh javën e ardhshme, duke përmendur rrezikun e një mospagimi të borxhit duke filluar nga muaji qershor. Kjo do të thotë se diskutimet për buxhetin midis Shtëpisë së Bardhë dhe Kongresit duhet të fillojnë menjëherë në muajt e ardhshëm.
Në një letër drejtuar Kongresit, Yellen, theksoi se SHBA pritet të arrijë kufirin e borxhit të vendosur nga Kongresi më 19 janar dhe se Departamenti i Thesarit është gati të marrë masa të jashtëzakonshme për të përmbushur pagesat e tij.
Sekretarja e Thesarit tha se kishte pasiguri të madhe pasi çështja nuk do të zgjidhej përpara fillimit të qershorit, që do të thotë se Shtëpia e Bardhë dhe Kongresi kanë më pak se katër muaj për të arritur një marrëveshje. “Në të kaluarën, edhe kërcënimi se qeveria amerikane mund të mos jetë në gjendje të përmbushë detyrimet e saj ka dhënë një goditje të madhe, siç ishte ulja e vetme e kredisë në historinë e SHBA në vitin 2011”, kujton Yellen.
Por, çështja këtë vit pritet të jetë më e vështirë për t’u zgjidhur se në çdo kohë që nga viti 2011, kur presidenti i atëhershëm Barack Obama dhe demokratët e Senatit u përplasën me shumicën e re republikane në Dhomën e Përfaqësuesve. Më në fund u arrit një marrëveshje.
Këtë vit, republikanët e Dhomës së Përfaqësuesve po kërkojnë sërish shkurtime të mëdha të shpenzimeve në buxhet në këmbim të rritjes së kufirit të borxhit, por ata kanë një shumicë të vogël në dhomën e ulët.
Dorian Koça / SCAN
Material i përgatitur nga portali SCAN TV.
Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.