FunData Postuar më 13 Korrik 2026, 15:25

Importet e mobilieve, në rekord/ Ndërtimi dhe turizmi shtojnë kërkesën në pesë muajt e parë

Nga Scan TV

Importet e mobilieve, në rekord/ Ndërtimi dhe turizmi shtojnë

Importet e mobilieve, dyshekëve dhe pajisjeve të ndriçimit arritën nivelin më të lartë të regjistruar ndonjëherë për pesë muajt e parë të vitit.

Sipas përllogaritjeve mbi të dhënat e INSTAT-it, gjatë periudhës Janar-Maj 2026, Shqipëria importoi rreth 5.11 miliardë lekë mallra të kësaj kategorie, nga 5.05 miliardë lekë në të njëjtën periudhë të një viti më parë.

Në raport me pesëmujorin e vitit 2025, importet u rritën me 1.1%, ose rreth 55.5 milionë lekë. Krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2024, rritja arrin në 7.3%, ndërsa kundrejt vitit 2023 është rreth 14.2%.

Vetëm gjatë muajit Maj, importet e mobilieve, dyshekëve dhe pajisjeve të ndriçimit arritën në 1.18 miliardë lekë, duke u rritur me 5.9% krahasuar me Majin e vitit të kaluar dhe me 4.1% kundrejt muajit prill. Maji ishte gjithashtu muaji i tretë radhazi gjatë të cilit importet e kësaj kategorie kaluan vlerën e një miliard lekëve.

Rritja mund të lidhet me vijimin e aktivitetit në ndërtim, zgjerimin e sektorit të turizmit dhe forcimin e konsumit të brendshëm. Mobilimi i banesave të reja, hoteleve dhe apartamenteve të përdorura për qira afatshkurtra shton kërkesën për mobilie, krevate, dyshekë dhe pajisje ndriçimi.

Në tremujorin e parë të vitit 2026 u miratuan 322 leje për ndërtesa të reja, 24.8% më shumë se në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Edhe treguesit e turizmit sugjerojnë një kërkesë më të lartë nga strukturat akomoduese.

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat