SHBA padit kompaninë Amazon – “Abuzime me pozicionin e saj dominues në treg”
Komisioni Federal i Tregtisë dhe prokurorët e përgjithshëm të 17 shteteve amerikane kanë paditur Amazon, duke e akuzuar gjigantin e tregtisë elektronike për praktika monopoliste. Sipas tyre, Amazon ka abuzuar me pozicionin e saj dominues në treg për të rritur çmimet për klientët dhe për të marrë përqindje të larta nga kompanitë që shesin produktet e tyre përmes platformës.
Kryetarja e komisionit federal të tregtisë, Lina Khan, u shpreh se Amazon po shfrytëzon monopolet e saj në mënyrë që blerësit dhe shitësit të paguajnë më shumë për shërbime më të këqija. Ajo theksoi se aksionet janë të larta duke shkaktuar dëme të menjëhershme dhe të vazhdueshme.
Nga ana e saj, kompania me bazë në Seatle e cilësoi si një akuzë të gabuar dhe nëse do të kishte sukses, rezultati do të ishte më pak produkte në treg, çmime më të larta dhe dërgesa më të ngadalta. Në reagimin e Amazon thuhet se padia e ngritur e bën të qartë se ajo në të cilën është fokusuar Komisioni Federal i Tregtisë është larg misionit të tij, që është mbrojtja e konsumatorëve dhe konkurrenca. Praktikat e kundërshtuara aktualisht nga ky komision, nga ana tjetër kanë ndihmuar në nxitjen e konkurrencës dhe inovacionit në të gjithë industrinë e shitjes me pakicë dhe kanë rezultuar në përzgjedhje më të madhe, çmime më të ulëta dhe transport më të shpejtë për klientët e Amazon, si dhe mundësi më të mëdha për bizneset e shumta që shesin në Amazon.
Sipas agjencisë qeveritare për konkurrencën dhe mbrojtjen e konsumatorit dhe prokurorëve të përgjithshëm të 17 shteteve, përfshirë Nju Jorkun, Amazon ka penguar tregtarët në platformën e saj që të ofronin çmime më të ulëta diku tjetër duke i detyruar ata të përdorin shërbimin e tyre logjistik për dërgimin e produkteve. Këto praktika kanë çuar në një përkeqësim të cilësisë së shpenzimeve konsumatore, sipas autoriteteve amerikane, duke rritur çmimet dhe duke ulur konkurrencën.
Dorina Kurtaj / SCAN
Material i përgatitur nga portali SCAN TV.
Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.