Shërbime konsullore për tifozët shqiptarë në EURO 2024 – Mbështetje nga ambasada për mungesën e dokumenteve të udhëtimit
Kualifikimi i Shqipërisë për herë të dytë në historinë e saj në Kampionatin Evropian, pritet të shoqërohet edhe me një dyndje të tifozëve shqiptarë për të ndjekur drejtpërdrejtë ndeshjet dhe ofruar mbështetjen e tyre për kombëtaren shqiptare.
Me qëllim garantimin e sigurisë dhe mbështetjen e shtetasve shqiptarë, të cilët mund të përballen me mungesën e dokumenteve të udhëtimit, Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme ka dalë me një njoftim zyrtar.
Gjatë mbajtjes së Kampionatit Evropian EURO 2024 dhe pjesëmarrjes së ekipit kombëtar shqiptar në këtë turne, Ambasada e Shqipërisë në Gjermani do të ofrojë shërbime konsullore për të gjithë shtetasit shqiptarë në qytetet ku do të zhvillohen ndeshjet, Dortmund, Hamburg dhe Dyseldorf.
Në Dortmund – më 14-15-16 qershor 2024, në adresën: Märkische Straße 120 (Seminar Gebaüde), 44141 Dortmund (Dhoma e Tregtisë e Dortmundit – IHK)
Në Hamburg – më 18-19-20 qershor 2024, në adresën: Rothenbaumchaussee 133, 20149 Hamburg (Konsullata e Përgjithshme e Republikës së Kosovës në Hamburg)
Në Dyseldorf – më 23-24-25 qershor 2024, në adresën: Bilker Str. 29, 40213 Düsseldorf (Konsullata e Përgjithshme e Republikës së Kosovës në Dyseldorf)
Shërbimet që do të ofrohen janë kryesisht leje kalimi dhe vetëdeklarim për humbje dokumenti. Ndërsa në raste emergjencash, tifozët mund të kontaktojnë në një adresë email-i të publikuar në faqen e ambasadës ose përmes programit EURO 2024.
Kampionati Evropian EURO 2024 pritet të nisë këtë të premte në Mynih, pasuar menjëherë me ndeshjen e parë të Shqipërisë me Italinë. Shërbimet konsullore do të ofrohen deri në përfundim të ndeshjeve që do të ketë Shqipëria në kuadër të kampionatit.
Ledina Elezi/SCAN
Material i përgatitur nga portali SCAN TV.
Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.