Shfrytëzimi i energjisë diellore në Maqedoninë e Veriut!
Hoteli “Drim” mbi liqenin piktoresk të Ohrit rikonstruktoi së fundi sistemin e ngrohjes dhe të ftohjes. Edhe pse për një dekadë, ky hotel përdorte kaldajat – një zgjedhje praktike energjie për bojlerët dhe sistemin e ajrit të kondicionuar – vendosi të kalonte tek teknologjia termike diellore. Ndryshe nga sistemet fotovoltaike, të cilat i shndërrojnë rrezet e diellit në energji elektrike, modulet termike diellore prodhojnë energjinë që u nevojitet pajisjeve ngrohëse dhe ftohëse.
Rritja me 10% e energjisë elektrike këtë vit, u kushtoi atyre një investim prej 170.000 eurosh, që u deshën për të instaluar sistemin e ri të paneleve diellore dhe fotovoltaike.
Megjithatë, investimi i “Drim” në teknologjinë diellore termike e kalon atë automatikisht tek pakica. Shumë kompani dhe qytetarë janë të etur për tranzicion, nga energjia tradicionale, tek ajo e rinovueshme. Por subvencionet e pakta të qeverisë për investime të këtij lloji, përfshirë këtu edhe kontraktorët e palicencuar që bllokojnë tregun me mallra dhe shërbim nën kosto, e zbehin optimizmin.
“Diell maqedonas për energjinë maqedonase”: kështu njoftoi në vitin 2018 ish-kryeministri Zoran Zaev, duke theksuar se vendi duhet të përdorë diellin bujar, me qëllim që të përfitojë ekonomikisht. Katër vite më vonë, shteti ballkanik, flamuri i të cilit ka në përbërje një diell vezullues – po ecën me vështirësi drejt synimeve ambicioze për prodhimin e energjisë elektrike nga panelet diellore dhe fotovoltaike.
Sipas Zyrës Shtetërore të Statistikave familjet maqedonase instaluan gjatë vitit 2019 rreth 80 mijë panele diellore. Një zgjerim më masiv është i mundshëm, sepse me 280 ditë me diell në vit, Maqedonia e Veriut ka të drejtë të krenohet më shumë se vendet e tjera. Megjithatë raporti më i fundit i Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë së Rinovueshme bëri të ditur se më pak se 2% e energjisë vendase prodhohet aktualisht nga energjia diellore, një nga nivelet më të ulëta në Europë.
“Eko-svest”, organizata jo-fitmprurëse për informacion dhe kërkim mjedisor, e cila kohët e fundit nisi fushatën për planifikimin e energjisë inteligjente, pretendon se instalimi i paneleve diellore në vetëm 1% të territorit të vendit, mund ta bëjë të pavarur energjinë e vendit.
Mbështetja e pamjaftueshme për investitorët është një pengesë e madhe, thonë njëzëri ekspertët dhe sipërmarrësit. Deri tani, subvencionet kanë qenë të vogla. Rreth 80 mijë euro në vit u janë shpërndarë familjeve që kanë instaluar panele diellore, që do të thotë se një familje merr nga 150-300 euro për të mbuluar kostot e instalimit.
Sistemet shtëpiake, që zakonisht përbëhen nga një ose dy module, kushtojnë rreth 500 euro për panel. Një kolektor i vetëm mundëson afërsisht 150 litra ujë të nxehtë në ditë. Ministria e Ekonomisë në Maqedoninë e Veriut ka konfirmuar se nuk do të ketë ndihmë shtetërore për sistemet termike diellore gjatë gjithë këtij viti.
Kostoja e teknologjisë së paneleve diellore ka çuar në krijimin e të ashtuquajturave “kompani fantazmë”, të cilat ofrojnë një punë të dobët, me materiale me cilësi të ulët, kryesisht të prodhuar në Kinë.
Legjislacioni aktual ka nevojë për ndryshime urgjente dhe sipas ekspertëve sipërmarrësit e palicensuar nga shteti nuk duhet të përfitojnë asnjë subvencion. Ata gjithashtu theksojnë se tregtarët e pandershëm, të cilët importojnë materiale me cilësi të ulët për panelet të mos pranohen në dogana, ndërkohë që prodhuesit vendas si “Camel Solar” dhe “Plasma” paguajnë taksë prej 18% për importin e lëndëve të para që nevojiten për panelet diellore.
Para se t’i drejtohen Komisionit për aplikimin e licensave të prodhimit të energjisë, kompanive u nevojiten një sërë dokumentesh dhe lejesh ndërtimi. Ndërtuesit ankohen për shiritin e kuq, por ai i siguron investitorët që të mos përballen me të njëjtat rreziqe si konsumatorët që blejnë sisteme termike jocilësore.
Pavarësisht problemeve, ka një nxitje të madhe për energjinë e rinovueshme në Maqedoninë e Veriut, mbështetur nga Bashkimi Europian. Synimi për prodhimin e energjisë së rinovueshme në konsumin total të energjisë bruto parashikohet të jetë 40% deri në vitin 2030 dhe 45% deri në 2040-ën. Që nga viti 2018, Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH) ka financuar rreth 27 milionë euro për prodhimin e energjisë diellore dhe hidroelektrike. Megjithatë, ekspertët pajtohen se pavarësisht synimit të mirë, nuk ka gjasa që fondet ndërkombëtare të ndihmojnë Maqedoninë e Veriut të arrijë objektivat e saj ambicioze në kohë.
E . S / SCAN
Material i përgatitur nga portali SCAN TV.
Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.