Shqipëria, në luftë kundër kërcënimeve kibernetike! – Balluku: Rol kyç në Samitin e Katërt Global për Parandalimin e Ransomware
Ernilda Luzi/Scan
Së fundmi, Shqipëria ka marrë një rol kyç në Samitin e Katërt Global për Parandalimin e Ransomware, organizuar nga Shtëpia e Bardhë. Zv/kryeministrja, njëherësh ministre e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, ka deklaruar në një postim në rrjetet sociale se “ne po udhëheqim një projekt që synon të forcojë rregullimin e aseteve virtuale dhe të ndalojë fluksin e paligjshëm të fondeve që mbështesin industrinë e ransomware-it”.
Shtëpia e Bardhë e thekson: “Ky projekt përmirëson rregullimin e aseteve virtuale dhe prish ekosistemin e pagesave që fuqizon këtë industri të rrezikshme.”
Sipas zv/kryeministres Balluku, me këtë nismë, Shqipëria dëshmon angazhimin e saj për bashkëpunimin ndërkombëtar dhe përforcimin e sigurisë globale.
Ndërkohë, në njoftimin e publikuar nga Shtëpia e Bardhë theksohet se, gjatë konferencës katër-ditore, gati shtatëdhjetë anëtarët e Iniciativës diskutuan metodat për të luftuar sulmet e ransomware në industrinë e kujdesit shëndetësor, bashkëpunimin me siguruesit kibernetikë dhe industrinë private për të reduktuar pagesat e ransomëare dhe për të rritur raportimin e incidenteve, etj.
Material i përgatitur nga portali SCAN TV.
Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.