Si bankat amerikane po përgatiten për tkurrje të fitimeve dhe recesion!
Gjigantët bankarë amerikanë parashikohet të raportojnë fitime më të ulëta të tremujorit të katërt këtë javë pasi huadhënësit po grumbullojnë fondet e ‘ditëve me shi’ për t’u përgatitur për një ngadalësim ekonomik që po godet bankat e investimeve. Katër gjigantë amerikanë bankar JPMorgan Chase & Co, Bank of America Corp, Citigroup Inc dhe Wells Fargo & Co do të raportojnë fitimet të premten.
Së bashku me Morgan Stanley dhe Goldman Sachs, ata janë gjashtë huadhënësit më të mëdhenj që pritet të grumbullojnë një rezervë të kombinuar prej 5.7 miliardë dollarësh për t’u përgatitur për kredi të rënduara, sipas parashikimeve mesatare nga Refinitiv. Kjo është më shumë se dyfishi i 2.37 miliardë dollarëve të lënë mënjanë një vit më parë.
Rezerva Federale po rrit në mënyrë agresive normat e interesit në një përpjekje për të zbutur inflacionin afër nivelit më të lartë në dekada. Rritja e çmimeve dhe kostot më të larta të huamarrjes kanë nxitur konsumatorët dhe bizneset të frenojnë shpenzimet e tyre dhe duke qenë se bankat shërbejnë si ndërmjetës ekonomikë, fitimet e tyre bien kur aktiviteti ngadalësohet.
Gjashtë bankat pritet gjithashtu të raportojnë një rënie mesatare prej 17% të fitimit neto në tremujorin e katërt nga një vit më parë, sipas vlerësimeve paraprake të analistëve nga Refintiv. Megjithatë, huadhënësit do të përfitojnë nga rritja e normave që i lejojnë ata të fitojnë më shumë nga interesi që u ngarkojnë huamarrësve.
Investitorët dhe analistët do të fokusohen në komentet e bosëve të bankave si një matës i rëndësishëm i perspektivës ekonomike. Një paradë e drejtuesve ka paralajmëruar javët e fundit për një mjedis më të ashpër biznesi, i cili i ka shtyrë firmat të ulin kompensimin ose të eliminojnë vendet e punës.
Goldman Sachs do të fillojë të pushojë mijëra punonjës nga e mërkura, thanë të dielën dy burime të njohura me lëvizjen. Morgan Stanley dhe Citigroup, ndër të tjera, gjithashtu kanë shkurtuar vendet e punës pas një rënieje në aktivitetin investues-bankar. Lëvizjet vijnë pasi tregtarët e Wall Street që trajtojnë bashkimet, blerjet dhe ofertat publike fillestare u përballën me një rënie të mprehtë të bizneseve të tyre në vitin 2022, pasi rritja e normave të interesit tronditi tregjet.
Të ardhurat globale nga bankat e investimeve u ulën në 15.3 miliardë dollarë në tremujorin e katërt, më shumë se 50% më pak se një tremujor më parë, sipas të dhënave nga Dealogic. Bizneset konsumatore do të jenë gjithashtu një fokus kyç në rezultatet e bankave. Llogaritë e familjeve janë mbështetur për pjesën më të madhe të pandemisë nga një treg i fortë i punës dhe një stimul qeveritar, dhe ndërsa konsumatorët në përgjithësi janë në gjendje të mirë financiare, më shumë kanë filluar të mbeten prapa në pagesa.
Analistët do të vëzhgojnë gjithashtu nëse banka si Morgan Stanley dhe Bank of America rezervojnë ndonjë zhvlerësim të kredisë prej 13 miliardë dollarësh për të financuar blerjen e Twitter nga Elon Musk. Më gjerësisht, indeksi KBW i aksioneve të bankave është rritur me rreth 4% këtë muaj, pasi u fundos me pothuajse 28% në vitin e kaluar.
Ndërsa ndjenja e tregut mori një kthesë të mprehtë nga shpresëdhënëse në të frikshme në vitin 2022, disa banka të mëdha mund të kapërcejnë parashikimet më të tmerrshme sepse kanë hequr dorë nga aktivitetet e rrezikshme, shkroi Susan Roth Katzke, një analiste në Credit Suisse.
Edel Strazimiri / SCAN
Material i përgatitur nga portali SCAN TV.
Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.