Si ndikoi rënia e euros në tkurrjen e eksporteve?
Prej muajsh tashmë, kursi i këmbimit po përjeton luhatje të forta me një rënie të ndjeshme të valutave kryesore dhe mbiçmim të lekut. Por, çfarë pasojash ka sjellë zhvlerësimi i euros për eksportet?
Bizneset eksportuese kanë kryesisht kontrata në euro. Shumica e shpenzimeve të këtyre bizneseve janë në lek, e për rrjedhojë kur të ardhurat në euro që janë fituar nga këto kontrata këmbehen në lekë, sjellin shumë humbje. Një kontratë për të njëjtën vlerë në euro, por e konvertuar në lek tashmë vlen më pak.
Krahas kësaj, kostoja e lartë punëtore si pasojë e rritjes së pagës minimale shoqëruar me kostot e prodhimit, kanë shtuar humbjet e bizneseve. Me qëllim shmangien e shpenzimeve nga pagat, shumë biznese kanë shkurtuar numrin e punonjësve të tyre.
Gjithashtu, disa biznese eksportuese kanë shpallur falimentin ose për të kompensuar disi humbjet e shkaktuara nga kursi i këmbimit, kanë ulur ndjeshëm prodhimin e tyre për eksport. Sipas të dhënave zyrtare nga Instituti i Statistikave, eksportet e mallrave arritën vlerën 199 miliardë lekë në gjashtë muajt e parë të këtij viti, duke u ulur me 14,9% krahasuar me një vit më parë. Ndërkohë, deficiti tregtar u rrit me 17,9%, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2023.
Nga ana tjetër, ndryshe nga eksportet, importet kanë përfituar nga rënia e euros. Importuesit kanë rritur fitimet për arsye të çmimeve më të ulëta të mallrave. Në gjysmën e parë të këtij viti, importet arritën vlerën 440 miliardë lekë, duke u rritur me 0,3%, krahasuar me një vit më parë. Fitimet nga importet kanë shtyrë shumë biznese që kanë mbyllur aktivitetin e tyre eksportues, të kthehen në biznese importuese. Importe më të lira nënkupton gjithashtu një ulje të çmimeve në tregun shqiptar, por që ende sot e kësaj dite nuk janë parë.
Material i përgatitur nga portali SCAN TV.
Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.