Si të bëhesh rezident në Monako – Procesi nis pas depozitimit të 500 mijë eurove në bankë
Dorina Kurtaj /SCAN
A keni ëndërr të bëni një shëtitje pranë rrugës së famshme të Monakos, Grimaldi, dhe në vend që të shikoni apartamente luksoze, të keni çelësin e një të tilli në xhep? Dhe në xhepin tjetër Carte de Resident, “karta e banimit” elektronike e principatës, që të jep të drejtën e qëndrimit të përhershëm në një nga rajonet më të shtrenjta të botës? Atëherë jeni vetëm 1.000.000 euro larg këtij qëllimi.
Ky numër shtatëshifror është kriteri i parë që duhet përmbushur nëse dëshironi të keni fqinjë të famshëm, si Ringo Starr, Bono dhe Leuis Hamilton. Pra, çfarë duhet për t’u bërë banor i Monakos dhe për të gëzuar privilegjet e qytetarëve të principatës së vogël, por shumë të madhe? Stimujt kanë të bëjnë më shumë me lehtësimet tatimore dhe më pak me shfaqjen e pasurisë apo ndjenjën e sigurisë që ndiejnë banorët e Monakos.
Çdo gjë nis me një vizitë në CMB, banka e principatës. Aty do t’ju kërkojnë të hapni një llogari, në të cilën duhet të depozitohen të paktën 500 mijë euro. Ata do të sqarojnë, natyrisht, se kjo shumë mund të mos jetë absolutisht në para në dorë, por ata e duan atë në “asete të likuidueshme menjëherë”. Këto, përveç parave të gatshme, janë aksione, shufra ari etj. Që në momentin që hapni këtë llogari, do të merrni një vërtetim nga banka për të kërkuar strehim. Ka shumë kompani të pasurive të paluajtshme që do t’ju ndihmojnë të gjeni vendin e duhur për të jetuar, qoftë duke blerë apo marrë me qira.
Teorikisht mund të gjeni një apartament të vogël për të blerë për 500 mijë euro, por të tillë nuk ka më. Çmimi më i ulët ishte 1.1 milionë euro për një sipërfaqe 25 m2. në zonën La Roux, në pjesën perëndimore të principatës.
Por më e rëndësishmja është që përveç parave që keni depozituar në bankë, duhet të provoni sërish se keni burime të “mjaftueshme” financiare. Pra duhen dokumente të tjera, si p.sh. kopje të pagës (me të paktën pesë shifra mujore ose gjashtë shifra në vit) dhe pasqyrat e fundit të llogarive në banka të tjera. Banka do të gjykojë se sa “adekuate” janë të dhënat financiare që ju jepni.
Megjithatë, procesi për të marrë “kartën e rezidentit” përmban shumë magjepsje. Supozohet se aplikimet shqyrtohen personalisht nga vetë Princi Albert ‘ dhe nëse ai i miraton ato, i firmos. Kjo është në traditën e nisur 60-70 vjet më parë nga babai i tij, Princi Rainier, i cili kishte idenë për ta kthyer principatën në një parajsë fiskale. Sigurisht, një gjë e tillë është ndoshta një utopi. Princi Albert ka shumë gjëra të tjera për të bërë përveçse të kontrollojë aplikacionet dhe dokumentet.
Përjashtimi tatimor shtrihet edhe për çdo transfertë që dëshironi të bëni për anëtarët e familjes suaj. Çdo të ardhur apo pronë që keni në Monako apo e fituar pas “lejes së qëndrimit”, mund të transferohet pa paguar asnjë euro. Përveç kësaj, ju gjithashtu fitoni në fshehtësi. Bankat në Monako kanë të njëjtin status si ato në Zvicër, ata nuk janë të detyruar t’u japin autoriteteve të ndonjë shteti asnjë informacion, përveç nëse përfituesi e lejon atë me leje me shkrim.
Material i përgatitur nga portali SCAN TV.
Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.