Skandali i AKSHI-t/ Eksperti i IT: Institucioni ka përgjegjësi
Skandal! Kështu e cilëson eksperti i Teknologjisë së Informacionit Besir Semanaj, reagimin e Agjencisë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit ndaj sulmit kibernetik.
Në një intervistë për emisionin START në SCAN, Semanaj tha se raporti për sulmin i publikuar nga FBI dhe Microsoft tregon rolin jo profesional dhe përgjegjësinë direkte që AKSHI ka në këtë incident.
Në raportin e FBI të publikuar pak ditë më parë, evidentohet se sulmi u bë përmes serverit të administrata.al.
Duke interpretuar këtë raport, AKSHI evidentoi se serveri nuk menaxhohej nga ekspertët e saj. Atëhere, sipas ekspertit, kjo e bën AKSHI-n përgjegjës sepse I ka dhënë akses një serveri pa konfigurimet e duhura.
Semanaj analizon sjelljen e AKSHI-t pas sulmit, ku sipas tij, ka qenë një gabim profesional mënyra sesi u veprua me serverat që u rikthyen në punë brenda pak ditësh, në një kohë që sulmuesit kanë qenë brenda sistemit prej 14 muajsh.
Sipas tij, AKSHI duhej të ishte siguruar se sistemet e back-up ishin të pavirusuara para se t’I rikthenin në punë.
Ndërsa akuzon AKSHI-n për mungesë transparence, Semanaj thotë se ky institucion duhet të japë shpjegime nëse sistemi I saj po përdoret për të sulmuar institucione brenda apo jashtë vendit.
Semanaj komentoi edhe raportin e Kontrollit të Lartë të Shtetit të publikuar nga SCAN, që ka nxjerrë në pah një serë problematikash për mënyrën sesi menaxhohet AKSHI.
Në raport evidentohet se puna për centralizimin e shërbimeve është bërë në një mënyrë jo profesionale, me urdhëra verbalë dhe në mungesë të një regjistri incidentesh, duke mos i dhënë rëndësinë e duhur një procesi kaq madhor që ka krijuar tashmë një dëm të pakthyeshëm për qytetarët shqiptarë.
SCAN