Spitalet gjermane, në rrezik mbylljeje! – Mungojnë fondet për shkak të rritjes së çmimit të energjisë
Spitalet dhe klinikat në Gjermani janë gjithnjë e më shumë në rrezik falimentimi dhe mbylljeje për shkak të rritjes së çmimit të energjisë, paralajmëroi Ministri i Shëndetësisë, Karl Lauterbach.
“Nëse nuk reagojmë shpejt dhe realisht në mënyrë drastike, do të ketë mbyllje të objekteve shëndetësore”, deklaroi ministri, i cili shtoi se planifikon të zhvillojë bisedime për dhënien e më shumë ndihmave financiare federale për spitalet dhe klinikat me ministrin e Financave Christian Lindner.
Javën e kaluar, Federata Gjermane e Spitaleve i bëri thirrje qeverisë që të ndërmarrë veprime të menjëhershme për të shmangur rrezikun e mbylljes së spitaleve, duke theksuar se sektori përballet me një mungesë financimi për të përmbushur nevojat e tij materiale dhe energjetike prej rreth 15 miliardë euro në 2022 dhe 2023.
Edhe pse e kundërshtoi këtë shifër, ministri I Shëndetësisë pranoi se spitalet do të përballen me një problem shumë drastik likuiditeti gjatë kësaj periudhe.
Në Gjermani, me më shumë se 83 milionë banorë, funksionojnë 1,900 spitale me një kapacitet total prej 490,000 shtretërish.
SCAN
Material i përgatitur nga portali SCAN TV.
Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.