Tregtia me Kosovën, “eklipson” rajonin – Pavarësisht kursit të këmbimit, rritje në sasi dhe vlerë
Zhvlerësimi i euros ka dhënë efekt direkt në tregtinë e jashtme me rajonin, duke bërë që të rritet sasia e mallrave të shkëmbyera mes vendeve, por të ulet konsiderueshëm vlera e tyre. Sipas të dhënave të INSTAT të analizuara nga SCAN TV, rezulton se në muajin Gusht 2023 ka pasur një rënie të tregtisë rajonale e cila kalkulohet në 1.6 miliardë lekë, krahasuar me një vit më parë, ndërsa në total vlera e mallrave të shkëmbyera ka arritur në 10.7 miliardë lekë.
Në analizë janë marrë shkëmbimet në vlerë dhe në sasi me Kosovën, Serbinë, Maqedoninë e Veriut, Malin e Zi dhe Bosnje Hercegovinën, ku rezulton se Kosova ka arritur të marrë më shumë treg dhe të ketë kapërcim shifrash në raport me vendet e tjera. Konkretisht në sasi shkëmbimet me të gjitha vendet në rajon kanë ndjekur trend pozitiv, por me Kosovën kanë pësuar rritjen më të madhe në Gusht me afro 23.7 më shumë. Ndjekur nga Maqedonia e Veriut, shtet me të cilin tregtia e jashtme është rritur në volum me 22.3. Në total shkëmbimet gjatë këtij muaji me 5 vendet e rajonit janë rritur me afro 71.
Sa i takon shkëmbimeve në vlerë, vihet re pavarësisht kursit të këmbimit, tregtia me Kosovën sërish ka njohur rritje, duke kapur një total prej 4.8 miliardë lekësh në Gusht, ndërsa një rritje të lehtë vihet re edhe me Malin e zi dhe Bosnje Hercegovinën. Në të kundërt, me Serbinë dhe Maqedoninë e Veriut, shkëmbimet tretarë në vlerë kanë pësuar rënie.
Sa i takon grup mallrave më të shkëmbyera mes palëve, rezulton se me Kosovën importojmë më shumë ushqim, pije duhan dhe eksportojmë shumë materiale ndërtimi dhe metale. Me Serbinë prevalojnë në shkëmbime produktet ushqimore, ndërsa eksportojmë ndjeshëm edhe minerale, lëndë djegëse dhe energji elektrike. Me Maqedoninë e Veriut si në eksport dhe import dominon grupi minerale, lëndë djegëse dhe energji elektrike. Me Malin e Zi shkëmbejmë më së shumti materiale ndërtimi dhe metale ndërsa me Bosnje dhe Hercegovinën grupi ushqim pije duhan.
Elisabeta Dosku/ SCAN
Material i përgatitur nga portali SCAN TV.
Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.