Turqia u pasurua me 157% vitin e kaluar. Por, askush nuk po feston fenomenin në vend
Banorët e një vendi me inflacion galopant janë bërë më të pasur se çdo popull tjetër vitin e fundit dhe me një diferencë të madhe.
Sipas edicionit të këtij viti të Raportit të Pasurisë së UBS, Turqia dallohet me një rritje mahnitëse prej mbi 157% të pasurisë për të rritur midis 2022 – shit dhe 2023 – shit.
Vendet e radhës me rritjen më të madhe të pasurisë në renditjen e UBS janë Rusia dhe Katari, me një rritje prej gati 20%, e ndjekur nga Afrika e Jugut me pak më shumë se 16%. Në SHBA, pasuria mesatare u rrit gati 2.5%.
Inflacioni në Turqi po shkon në rreth 72 %, duke i lënë shumë prej 85 milionë banorëve të saj të shohin fuqinë e tyre blerëse të gërryer në mënyrë dramatike. Gjatë pesë viteve të fundit, lira turke ka humbur gati 83% të vlerës së saj kundrejt dollarit. Por për turqit që zotërojnë pasuri të tilla si shtëpi, pasuria e tyre rritet ndërsa inflacioni rrit vlerën e tyre.
Në hulumtimin e saj, UBS e përkufizon “pasurinë” si vlera e aktiveve financiare plus asetet reale – kryesisht shtëpitë, në pronësi të familjeve, minus borxhin e tyre.
“Në disa mënyra, shkalla e lartë e inflacionit ndihmon për të shpjeguar pse pasuria është rritur shumë më tepër në terma të monedhës vendase, të paktën më shumë se në vendet e tjera, sepse duhet të kujtojmë se pasuria matet në terma nominalë,” shprehen ekonomistët e UBS Global Wealth Management.
Nëse inflacioni është shumë i lartë, çmimet e banesave priren të rriten në përputhje me inflacionin, ose edhe më shpejt. Pra, ata që zotërojnë shtëpi ose aksione, të cilat gjithashtu priren të performojnë mjaft mirë në një mjedis të tillë, priren të shohin pasurinë e tyre të grumbullohet pak më shpejt.
Siç vë në dukje raporti i UBS, pasuria e turqve gjithashtu u rrit për shkak të diferencave të monedhës. Por gjithashtu me kalimin e kohës, të dhënat e UBS tregojnë se mesatarja e të rriturve në Turqi u bë 1.708% më i pasur nga 2008 në 2023 – shin, në terma të monedhës vendase.
Sigurisht, të qenit të pasur me asete nuk do të thotë domosdoshmërisht se ata janë gjithashtu të pasur me para’.
Dorina Kurtaj/SCAN
Material i përgatitur nga portali SCAN TV.
Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.