Turqit dhe egjiptianët “mësyjnë” tregun e punës – Ndërtimi dhe bujqësia “importon” punonjës nga jashtë!
Mungesa e krahut të kualifikuar të punës në vendin tonë, por edhe emigracioni, kanë krijuar më shumë hapësirë për të huajt të cilët e kanë gjetur veten në tregun shqiptar.
Për të punuar normalisht sipas ligjeve të shtetit shqiptar, shtetasit e huaj duhet të pajisen me leje pune apo vertetime punësimi.
Agjencia Kombëtare për Punësim dhe Aftësi ka bërë një analizë së si ka lëvizur tregu përgjatë periudhës së post-pandemisë, që i takon vitit që lamë pas dhe hapjes së ekonomike në tërësi, ku rezulton se afro 5 mijë shtetas të huaj janë pajisur me dokumentacionin përkatës.
Konkretisht, kanë marrë leje pune 3438 të huaj, 15% prej të cilëve janë punësuar në industrinë përpunuese, 13% janë dhënë në ndërtim, 12% në Bujqësi, dhe 9% në Tregti. Sa i takon shtetësisë, 16% janë shtetas turq, 12% egjiptianë dhe 5% filipinas, 5% indianë dhe 4% kinezë.
Po ashtu, janë pajisur me Vertetime Deklarimi për Punësim 1,596 shtetas të huaj, ku 32% janë dhënë në ndërtim, 9% në Tregti, dhe 9% në Arsim.
Nga të huajt që kanë marrë vertetim punësimi, 23% janë shtetas italian, 10% shtetas të Kosovës, 4% anglezë dhe 4% rumunë. Vertetimi i Deklarimit për Punësim vlen për të certifikuar rregullsinë e punësimit sipas legjislacionit në fuqi për të gjithë shtetasit e huaj nga BE, të zonës Shengen, të SHBA – së, të Republikës së Kosovës dhe shtetasit e Rebublikës së Serbisë me përkatësi etnike shqiptare. Ndërsa të huajt nga shtete të tjera duhet të pajisen me leje pune.
Elisabeta Dosku / SCAN
Material i përgatitur nga portali SCAN TV.
Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.