Ujësjellësit, rikuperim kostosh nga tarifat – Detyrimet nga ligji i ri, Shani: Shëndoshja financiare pas reformës do mundësojë arritjen
Ligji i ri “Për menaxhimin e integruar të burimeve ujore” kërkon zbatimin e parimit të rekuperimit të kostos, për të garantuar menaxhimin e pasurive ujore, teksa këto parashikime prekin edhe shoqëritë e ujësjellës – kanalizimeve. Nisur nga ndryshimet, kreu i Entit Rregullator të Ujit, Ndriçim Shani ka kryer një analizë mbi mundësitë e rekuperimit të kostos, përmes tarifave që aplikojnë këto shoqëri për qytetarët dhe bizneset.
Sipas Shanit, tashmë sektori është pothuajse i agreguar në 15 Shoqëri Rajonale me aksioner kryesor shtetin dhe ekonomia e shkallës pritet të sjellë një përmirësim të qëndrueshmërisë financiare të tyre, duke krijuar kushtet për respektimin në tërësi të parimit të mësipërm.
Shani vlerëson se kosto e tarifave në lejet e përdorimit të ujit për shoqëritë UK, në përbërje të faturës mujore të familjarëve është mjaft e ulët, pra ka mjaft hapësirë për rritjen e tyre në mënyrë që institucionet zbatuese të baseneve ujore të mund të kenë një buxhet të arsyeshëm në dispozicion për zhvillimin e aktivitetit të tyre në përmbushje të detyrave që i ngarkon ligji.
Shani sjell në vëmendje se afati maksimal i vendosur nga qeveria qendrore që nga themelimi i shoqërive rajonale që sektori UK të vetëfinancohet nga të ardhurat është 10 vjet. “Ndaj, angazhimi mjaft serioz i aktorëve në zbatim të reformës, premton një situatë optimiste që mbulimi i të gjitha kostove të shërbimeve UK në sektor të mbulohet kryesisht me tarifat, të realizohet para këtij afati, pra që të zbatohet plotësisht parimi i rekuperimit të kostove”, vlerëson kreu i ERRU.
Ola Mitre / SCAN
Material i përgatitur nga portali SCAN TV.
Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.