“Ushtria” e 600 mijë të pastrehëve në SHBA – Ana e errët e qyteteve të mëdha amerikane
Janë pothuajse 600 mijë çdo natë. Por, dhe gjatë ditës përfaqësojnë një prej plagëve sociale më të dukshme dhe të pamenaxhueshme të Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Është “ushtria” e të pastrehëve, që është e përqendruar në qytetet e mëdha amerikane: nga New York në Los Angeles, nga San Francisco në Chicago.
Përmasa e kësaj drame shfaqet qartë me anë të shifrave. Sipas analizave më të fundit të “Aleancës Kombëtare për t’i dhënë fund fenomenit të të pastrehëve”, “Hud”, departamentit për Ndërtimin dhe Zhvillimin Urban, të pastrehët në Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë rritur në numër me 6% nga 2017 dhe aktualisht janë pothuajse 600 mijë: 18 amerikanë në 10 mijë nuk kanë një shtëpi ku të jetojnë, flenë në rrugë ose në strehime të mundësuara nga bashkitë.
Në Shtetet e Bashkuara të Amerikës 22% e të pastrehëve, më shumë se 127 mijë persona, konsiderohen të pastrehë kronikë, 6% janë veteranë të forcave të armatosura, 5% janë shumë të rinj, pa familje dhe më pak se 25 vjec. Afroamerikanët të cilët janë 13% e popullsisë totale, përbëjnë 39% të të pastrehëve.
Kriza e të pastrehëve gjen arsye dhe tek politika. Opozita republikane e sidomos e djathta pranë Donald Trump, aktualisht e impenjuar në fushatën për zgjedhjet presidenciale të 2024 – ës, e konsideron këtë fenomen si simbolin e rrënimit të vendit, duke denoncuar degradimin dhe krimet që favorizohen nga menaxhimi shumë i butë i situatës nga ana e demokratëve.
Por nuk duket të ketë zgjidhje të lehta për një situatë emergjence që ka rrënjë të thella, në strukturën sociale dhe në sistemin ekonomik të SHBA. Dhe nuk kanë shërbyer pothuajse për asgjë, as propozimet progresiste që synojnë më shumë fonde dhe programe ndihme, dhe as shfajësimi i konservatorëve të cilët duan të minimizojnë përgjegjësinë qeverisëse dhe kërkojnë një përqendrim më të madh tek rendi publik.
Në panoramën e të pastrehëve ka një përzierje të sfidave të pazgjidhura, të cilat rëndohen me dobësimin e ekoomisë por që nuk janë ‘shëruar’ asnjëherë as në momentet e rimëkëmbjes dhe që vënë në diskutim qëndrueshmërinë dhe efikasitetin e sistemit të kujdesit dhe shërbimit social. Përzihen më pas dhe kushtet e varfërisë që prek 12% të popullsisë: rreth 40 milionë persona dhe një përqindje që ka ndryshuar shumë pak gjatë dekadave. Por në skenë del dhe racizmi i trashëguar.
Dorina Kurtaj / SCAN
Material i përgatitur nga portali SCAN TV.
Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.