Vdekjet nga aksidentet rrugore – Komuniteti i Transportit rendtin shtetet e Ballkanit Perëndimor, Shqipëria në vend të 4-t
Ola Mitre / SCAN
Ndonëse po bën përparim, Ballkani Perëndimor ende përballet me sfida në reduktimin e vdekjeve në rrugë në krahasim me vendet e Bashkimit Evropian. Sipas Komuniteti të Transportit viktimat në rrugë në 6 vendet e rajonit u rritën në 1261 në 2023, një rritje prej 15 jetësh të humbura krahasuar me statistikat e publikuara më parë.
Sipas raportit të sapo publikuar, sa i takon numrit të fataliteteve në rrugë për 100 mijë banorë të gjithë vendet e rajonit pozicionohen mbi mesataren e përgjithshme të Bashkimit Evropian. Më keq në këtë drejtim renditet Mali i Zi, ndërsa pas tij vijnë Serbia dhe Bosnje Hercegovina. Shqipëria pozicionohet në vendin e katërt sa i përket normës së vdekjeve në rrugë për 100 mijë banorë, ndërsa më mirë nga të gjithë vendet e rajonit renditet Kosova, me numrim më të ulët të fataliteteve për 100 000 banorë.
Sipas Komunitetit të Transportit, rajoni vazhdon të mbetet prapa vendeve të Bashkimit Evropian në performancën e sigurisë rrugore, duke theksuar nevojën për masa më efektive. Sipas tij, duke adoptuar një qasje gjithëpërfshirëse të Sistemit të Sigurt, duke i dhënë përparësi sigurisë në të gjitha aspektet e infrastrukturës rrugore, dizajnit të automjeteve dhe sjelljes njerëzore, rajoni mund të reduktojë ndjeshëm numrin e aksidenteve rrugore. Zbatimi i masave të identifikuara në kuadër të Planit të Veprimit për Sigurinë Rrugore të Gjeneratës së ardhshme (2025-2027) si për partnerët rajonalë ashtu edhe për pjesëmarrësit vëzhgues janë hap vendimtar drejt arritjes së objektivit të Vizionit Zero.
Material i përgatitur nga portali SCAN TV.
Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.