Viti i ri shkollor/ Urimet për nxënësit, nga shkollat e reja. Paralajmërohen investime të tjera
Kushte më të mira mësimdhënie dhe investime në shkolla. Ka qenë ky mesazhi që drejtuesit e qeverisë kanë dhënë me rastin e fillimit të vitit të ri shkollor.
Kryeministri Edi Rama ka zgjedhur të japë mesazhin e tij nga Paskuqani ku ka vizituar godinën e re të gjimnazit “Gramoz Palushi”, ku 630 nxënës dhe 33 mësues nisin këtë vit të ri shkollor me kushte dinjitoze. Investimi në këtë rast është kryer nga Bashkia Kamëz, në bashkëpunim me qeverinë qendrore.
Ndërkohë, zëvëndëskryeministrja dhe njëkohësisht ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë Belinda Balluku ka zgjedhur të japë mesazhin e saj me rastin e fillimit të vitit shkollor në Dibër. Zëvëndëskryeministrja Balluku ka vizituar shkollën “Irfan Hajrullai” dhe gjimnazin “Said Najdeni” në këtë ditë të parë të vitit të ri arsimor, për të përcjellë urimet për një vit me plot suksese për të gjithë fëmijët dhe mësuesit e tyre.
“Sot është një ditë e veçantë e me emocione jo vetëm për ta, por edhe për prindërit që sakrifikojnë çdo ditë që fëmijët e tyre të arsimohen e ndjekin rrugën e dijes. Ka qenë dhe mbetet detyra jonë për të garantuar, në Dibër e kudo në Shqipëri, kushte sa më të mira mësimdhënieje për të gjithë fëmijët, ashtu siç është sot shkolla “Irfan Hajrullai” në Peshkopi, e rikonstruktuar plotësisht e me kushte bashkëkohore. Suksese për të gjithë!” ka uruar zëvëndëskryeministrja.
Ndërkohë ministrja në detyrë e Arsimit Evis Kushi ka zgjedhur të japë një mesazh përmbyllës për detyrën e saj si ministre dhe ka uruar jo vetëm nxënësit e mësuesit por edhe pasuesen e saj në detyrë, Ogerta Manastirliu.
“Të shërbeja si Ministre e Arsimit dhe Sportit për vendin tim ka qenë nderi më i madh në jetën time, për të cilin kam punuar çdo ditë me mendje e zemër, me përkushtim dhe përgjegjshmëri të lartë, për ta përmbushur me sukses e për të bërë më të mirën në çdo hap.
Dua të falënderoj thellësisht të gjithë ata që i kisha në krah përgjatë këtij rrugëtimi, mësues, pedagogë e kolegë në ministri, me të cilët kemi kapërcyer shumë sfida të vështira në këto tre vite, veçanërisht pasojat e tërmetit dhe pandemisë, por edhe kemi realizuar shumë reforma transformuese, që do të kenë impakt për shumë kohë në të ardhmen, që nga abetarja e përbashkët unike, përmirësimi i infrastrukturës arsimore, digjitalizimi e deri tek ndërkombëtarizimi i universiteteve.
Shumë faleminderit edhe çdo sportisti që ka ngritur lart flamurin kuqezi, duke na dhuruar krenari dhe emocione të paharruara me medaljet e fituara! Falë punës sonë të përbashkët, sportistët sot vlerësohen me më shumë dinjitet dhe Shqipëria është ngritur në një nivel të ri në arenën ndërkombëtare.
Mirënjohje pa fund për Kryeministrin Edi Rama që më dha besim dhe mbështetje të pakursyer për ta përmbushur me sukses këtë mision të lartë! Jam e bindur që Ogerta do të vijojë në rrugën e reformave të nisura, për ta ngritur më lart cilësinë e arsimit dhe sportit, drejt standardeve më të mira bashkëkohore, siç e meritojnë fëmijët dhe të rinjtë tanë!” shkruan në mesazhin e saj Evis Kushi.
Material i përgatitur nga portali SCAN TV.
Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.