Yield-i i bonove 12-mujore barazon normën bazë të interesit – Rënia, ul kostot e huamarrjes për sektorin privat dhe individët
Armela Duka/SCAN
Në ankandin e fundit, tregu i letrave me vlerë ka vijuar të tregojë një tendencë uljeje të yield-eve. Sipas të dhënave zyrtare, yield-i mesatar i ponderuar për bonot me maturim 12-mujor ka zbritur në 3%, duke u barazuar kështu për herë të parë me normën bazë të interesit. Rikujtojmë që në ankandin paraardhës kjo normë ishte 3.02%.
Sipas historikut të të dhënave për dy vitet e fundit, kjo normë vijon të jetë më e ulëta që nga korriku i vitit 2022, por për herë të parë është në nivel të njëjtë me normën bazë të interesit.
Nëse analizojmë detajet e ankandit vëmë re se kërkesa e investitorëve për pjesëmarrje ka qenë më e lartë se shuma e shpallur për financim.
Konkretisht, shuma e shpallur për financim ishte 8 mld lekë, ndërsa vlera totale e kërkesave në ankand arriti në mbi 11.1 miliardë lekë.
Ndërkohë gjatë këtij ankandi, në mënyrë të ngjashme më ankandet e zhvilluara në muajt gusht dhe shtator, Ministria e Financave ka rritur shumën e huamarrjes në 9.2 miliardë lekë.
Në aspektin ekonomik, rënia e yield-it mesatar sjell edhe uljen e kostove të huamarrjes për sektorin privat dhe individët.
Material i përgatitur nga portali SCAN TV.
Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.