Zjarret/Shuhet vatra në Vlorë, por shpërthen në Shëngjin – Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile: Nga 20 vatra, 13 janë shuar
Diamila Leka/Scan
Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile informon se janë shuar 13 vatra zjarri nga 20 të tilla të evidentuara në 24 orët e fundit. Një prej vatrave të shuara është ai në fushën e mbetjeve në qytetin e Vlorës.
Ndërkohë, aktive mbeten vatrat në fshatin Zogaj, bashkia Tropojë, i cili është izoluar plotësisht në kufi me bashkinë Has, por vijon të jetë aktiv me intesitet të ulët në veri të lagjes Hajdarmataj. Strukurat e pushtetit vendor të mbështetura nga Forcat e Armatosura po vijojnë operacionin në atë zonë.
Po ashtu, po punohet për shuarjen e vatrës në fshatin Hoten, bashkia Vau Dejës. Zjarri ka intensitet të ulët dhe nuk paraqet rrezik për zonat e banuara.
Ndërkohë, zjarri në fshatin Mal-Shëngjin, bashkia Lezhë, i cili është aktiv prej disa ditësh, pasditen e djeshme u përhap menjëherë duke vënë në rrezik bizneset dhe zonat e banuara. Pas ndërhyrjes nga ajri është bërë e mundur shmangia e rrezikut për qytetarët. Sot vijon operacioni nga toka dhe ajri.
Vijon të jetë aktiv zjarri në fshatin Zavalinë, bashkia Elbasan, ku janë angazhuar në aksion strukturat e pushtetit vendor të mbështetura nga Forcat e Armatosura.
Puna po vijon edhe në dy vatra të tjera, në kodrat e liqenit të Viroit, në Gjirokastër dhe fshatin Lozhan, bashkia Maliq.
Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile u bën thirrje banorëve të bëjnë kujdes dhe paralajmëron ata që ndezin zjarre se do të përballen me ndëshkimet e rrepra që parashikon ligji.
Material i përgatitur nga portali SCAN TV.
Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.