5 kandidatë për drejtimin e BEI – Cilët janë favoritët për Bankën Europiane të Investimeve?
Pesë kandidatë do të garojnë për postin e presidentit të Bankës Europiane të Investimeve (BEI). Ministrja e Jashtme e Spanjës, Nadia Calviño dhe shefja e autoritetit të konkurrencës në BE, Margrethe Vestager, cilësohen si favoritë.
Të gjithë sytë janë tani tek ministrat e Financave të BE-së, të cilët do të diskutojnë ofertat e kandidatëve kur të mblidhen të premten në Santiago de Compostela, Spanjë, përpara se të votojnë gjatë një takimi të bordit të BEI-së që pritet në javët e ardhshme. Franca dhe Gjermania, votat e të cilave kanë peshën më të madhe, nuk kanë mbështetur ende një kandidat.
Kreu aktual, gjermani Werner Hoyer, ka mbajtur këtë post që nga viti 2012 dhe mandati i tij mbyllet në fund të këtij viti. Banka Europiane e Investimeve ka një bilanc total prej 544 miliardë euro dhe kapital të nënshkruar prej 249 miliardë euro.
Margrethe Vestager
Jo një burokrate tipike e Brukselit, Vestager ka fituar një reputacion global si “gjembi” për kompanitë Big Tech. Gjatë nëntë viteve të saj si shefe e konkurrencës, ajo ka vendosur gjoba të konsiderueshme ndaj kompanive më të mëdha në botë për abuzim me pozitën dominuese në treg. Liberalja daneze ka deklaruar se do të kishte “më shumë rreziqe” në këtë rol, duke argumentuar se vendimet duhet të përshpejtohen në mënyrë që banka të mund të financojë rindërtimin e Ukrainës ndërkohë që lufta vazhdon.
Sipas analistëve, Vestager nuk ka gjasa të sigurojë mbështetjen e presidentit francez. Ajo u detyrua së fundmi të tërhiqte emërimin e një amerikani si kryeekonomist i Departamentit të Konkurrencës pas reagimit të Emmanuel Macron. Në vitin 2019, vendimi i Vestager për të bllokuar një bashkim hekurudhor midis kompanive Alstom të Francës dhe Siemens të Gjermanisë gjithashtu tronditi Elysee. Ndërkohë, komisioneri francez i BE-së, Thierry Breton, deklaroi të mërkurën se BEI duhet të financojë energjinë bërthamore në Europë, diçka që Vestager nuk ka gjasa ta mbështesë.
Nadia Calviño
E konsideruar gjerësisht si pretendentja kryesore, Nadia Calviño është ministrja spanjolle e financave. Ajo ka deklaruar se BEI ka një rol gjithnjë e më të rëndësishëm duke pasur parasysh normat e larta aktuale të interesit dhe nevojën urgjente për më shumë investime të gjelbra.
Ish-drejtor i përgjithshëm i departamenteve të buxhetit dhe konkurrencës të Komisionit Europian, Calviño bëri lëvizjen nga Brukseli në Madrid në vitin 2018 për të qenë ministër i çështjeve ekonomike të qeverisë së Pedro Sánchez. Ajo është konsideruar si “dorë e sigurtë” duke drejtuar ekonominë e Spanjës përmes krizës COVID-19 dhe trazirave në tregje pas pushtimit të Ukrainës nga Rusia. Calviño gjithashtu ka kryesuar komitetin financiar të Fondit Monetar Ndërkombëtar (FMN) që nga viti 2021.
Por, Calviño më parë humbi papritur garën për Presidencën e Eurogrupit ndaj Pascal Donohoe të Irlandës në vitin 2020 dhe u tërhoq nga gara për të drejtuar FMN-në në vitin 2019.
Daniele Franco
Kandidati i Italisë është Daniele Franco, ish-ministri i Financave në qeverinë e Mario Draghit. Ai gjithashtu punoi në Komisionin Europian në fillim të karrierës si këshilltar ekonomik, përpara se të kthehej për të punuar në bankë në Itali. Pasi shërbeu në kabinetin e Draghit, ai u bë kreu i bankës qendrore të Italisë.
“BEI luan një rol të rëndësishëm për vendet europiane dhe do të jetë edhe më i rëndësishëm në të ardhmen, pavarësisht se kush do ta plotësojë këtë rol”, deklaroi ai së fundmi. Italia shpreson që Franco të mund të shfaqet si kandidaturë potenciale nëse ka mungesë të mbështetjes së shumicës për Calviño, ose Vestager.
Teresa Czerwińska
Gruaja e tretë në garë është Teresa Czerwińska e Polonisë, e cila aktualisht është një nga nënkryetaret e BEI. Ajo mbikëqyr operacionet e bankës në Ukrainë dhe i ka bërë thirrje BE-së që të vazhdojë me shpejtësi me financimin e rindërtimit të vendit ndërsa lufta vazhdon. “Edhe pse lufta po vazhdon, fondet e rindërtimit duhet të lëvrohen. sepse rimëkëmbja nuk mund të presë, sepse njerëzit nuk mund të presin”, tha Czerwińska në maj.
Ajo ishte ministre e Financave e Polonisë derisa u shkarkua në një riorganizim të kabinetit në vitin 2019, pasi shprehu skepticizëm mbi programet e shpenzimeve sociale të qeverisë së saj. Emërimi i Czerwińska do të shënonte një pikë kthese në traditën e gjatë të bllokut për emërimin e liderëve të Europës Perëndimore në rolet kryesore financiare.
Thomas Östros
Edhe Suedia, ashtu si Polonia ka vendosur si kandidaturë nënkryetarin aktual të BEI, Thomas Östros. I lindur në një qytet të vogël mbi 1000 km në veri të Stokholmit, ai ishte një socialdemokrat aktiv në rininë e tij dhe u bë anëtar i partisë Riksdag në 1994.
Në anën e tij është përvoja në qeveri, pasi ka shërbyer si ministër suedez i çështjeve fiskale, arsimit dhe industrisë në qeveri të ndryshme midis viteve 1996 dhe 2004, përpara se të vazhdonte të mbante poste në Shoqatën Suedeze të Bankierëve dhe FMN.
Östros është një avokat me emër për investimet e gjelbra dhe një mbështetës i fortë i vendimit historik të BEI për të ndaluar financimin e projekteve të karburanteve fosile në fund të vitit 2021.
Dorian Koça / SCAN
Material i përgatitur nga portali SCAN TV.
Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.