BSH zgjeron përdorimin e numrave IBAN – Valentina Semi: Do favorizojë dërgesat e vogla dhe ulë kostot për qytetarët e bizneset
Ndryshimet e sapo miratuara nga Banka e Shqipërisë në rregulloren “Për strukturën dhe përdorimin e numrit ndërkombëtar të llogarisë së pagesës” IBAN do të përkthehen në lehtësi në kryerjen e dërgesave të vogla të parave, por edhe në kostot e tyre për qytetarët e bizneseve.
Valentina Semi, Nëndrejtore e Sistemeve të Pagesave pranë Bankës së Shqipërisë shpjegon në një intervistë ekskluzive për Scan Televizion se përdorimi i IBAN do të shtrihet tashmë në të gjitha llogaritë që gjenerohen nga ofruesit e shërbimeve të pagesave (banka dhe jobanka) për klientët e tyre.
Ndryshimet mundësojnë që ofruesit e shërbimeve të pagesave, të hapin llogari pagesash, të emetojnë instrumente pagesash dhe potencialisht të jenë pjesëmarrës në sistemin e klerimit të pagesave me vlerë të vogël. E gjitha kjo, sipas Valentina Semit, do përkthehet në ulje të kostove të transferta, por do rrisë edhe aksesin e qytetarëve në sistemin financiar.
Ndryshimet do të shoqërohen edhe me një fushatë informuese përmes së cilës qytetarët të njihen e të shfrytëzojnë lehtësitë.
Lorenc Rabeta / SCAN
Material i përgatitur nga portali SCAN TV.
Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.