SHBA gjithnjë e më larg Kinës – Lëvizje radikale për shkëputjen totale ekonomike
Mediat amerikane raportojnë se nisur nga deklarata e fundit të përfaqësueses amerikane për tregti, Katherine Tai, duket se administrata Biden po planifikon një kthesë radikale.
Dhe ndërsa Shtetet e Bashkuara të Amerikës i janë përmbajtur deri më tani politikës së zhvendosjes së operacioneve të kompanive më të mëdha në vende ku u garantohen kostot më të ulëta, si të materialeve ashtu edhe të punës, Tai la të kuptohet se do të lërë pas politikën e vjetëruar dhe koloniale. Ajo paralajmëroi qasje dhe zbatim të politikave ekonomike që do të tërheqin investime në territorin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, në vend të Kinës.
Politika e re tregtare e SHBA-së do të bazohet në një “garë drejt majës”, e cila aktualisht konsiderohet një detyrë shumë ambicioze. Sipas analistëve ky është një akt mjaft radikal dhe i pabesueshëm, për më tepër i thënë në një fjalim publik.
Politiko vëren se tani do të jetë më interesante të pritet reagimi i pjesës tjetër të botës – a do të besojnë vërtet se SHBA-të janë gati për rregulla të reja të lojës dhe a do të jenë mjaft joshëse që vendet e tjera të fillojnë të pengojnë biznesin me Kinë?
Tai e preku shkurtimisht këtë problem në fjalën e saj, duke theksuar se SHBA-të janë mjaft të pozicionuara për t’i ofruar botës një lloj të ri globalizimi që nuk do të bazohet në shfrytëzim. Megjithatë, Politiko vëren se shumë janë ende skeptikë për këtë kthesë amerikane.
Nabil Ahmed nga organizata jofitimprurëse Oxfam vë në dukje se administratës së Bidenit do t’i duhet të bëjë shumë më tepër sesa të flasë dhe se është ende e paqartë nëse do të ketë forcën për t’u përkushtuar me të vërtetë ndaj ndryshimeve konkrete të politikave të nevojshme për të bërë këtë kthesë.
Katherine Tai pretendon se tashmë është duke punuar për të – administrata ka filluar negociatat me Japoninë dhe Europën për të provuar të zvogëlojë ndotjen nga prodhimi i çelikut. Por ka gjithashtu një marrëveshje midis SHBA-së dhe Meksikës.
Dorina Kurtaj / SCAN
Material i përgatitur nga portali SCAN TV.
Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.